Qindra familjarë, ku shihen burra, gra e fëmijë, kanë filluar të mblidhen në Sheshin Skënderbe në Prishtinë për protestën gjithëpopullore të ftuar për sonte nga ora 21:00, për t’u bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë ligjin për kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara.
Numri i qytetarëve në shesh po rritet ndërsa afrohet ora e paraparë për fillimin e protestës. Pamjet nga qendra e Prishtinës tregojnë qytetarë të moshave të ndryshme të mbledhur në shesh, ndërsa organizatorët presin pjesëmarrje të madhe gjatë mbrëmjes.
Protesta e sotme vjen pas 21 ditësh tubimesh të njëpasnjëshme. Qytetarë të shumtë janë mbledhur çdo mbrëmje duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që projektligji që lidhet me kompetencat e Dhomave të Specializuara të kalojë edhe në lexim të dytë. Kërkesa e protestuesve lidhet drejtpërdrejt me proceset gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Mbështetësit e nismës argumentojnë se ndryshimet e propozuara mund të kenë ndikim në pozitën juridike të ish drejtuesve të UÇK së që po përballen me procese pranë Dhomave të Specializuara. Tubimi i së martës është paralajmëruar si protestë gjithëpopullore dhe synon ta shtojë presionin publik mbi Kuvendin në prag të vendimmarrjes për projektligjin. Protesta pritet të nisë zyrtarisht në ora 21:00 në Sheshin Skënderbe në Prishtinë.









