Qindra afganë pritët të strehohen në Kosovë në dy ditët e ardhshme

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani dhe marrja e menjëhershme e pushtetit nga talibanët, e zhytën Afganistanin në kaos.

Mijëra qytetarë afganë janë larguar nga vendbanimet e tyre gjatë ditëve të fundit.

Kësisoj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar strehim për afganët nga disa shtete. Ndër to, nga Kosova dhe Shqipëria.

Këtë kërkesë të SHBA-së, shteti e Kosovës e mirëpriti, ku mbrëmë Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

IndeksOnline mëson nga burime të sigurta se në dy ditët e ardhshme pritet të arrijnë në Kosovë qindra refugjatë afganë si pasojë e marrëveshjes.

Të dielën, më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”. Ajo tha se “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në mëngjes tha se strehimi i refugjatëve afganë përveç aspektit njerëzor ka edhe dimensionin e aleancës e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne jemi shtet serioz dhe tash e një muaj këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe me shumë kujdes meqenëse çështja e refugjatëve nga Afganistani është jo vetëm një çështje e dhimbshme e njerëzore por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë”, tha ai,

Këtë vendim të Kosovës e mirëpritën zyrtarët e Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka falenderuar qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë që të pranojnë refugjatët afganë.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett ka shkruar se Kosova edhe njëherë ka shfaqur lidership në nivel global.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet që Shqipëria dhe Maqedonia të strehojnë grupacionin e parë të shtetasve afganë./