Qeverisje me ushtrues detyre | Kosova pa kryeprokuror, pa drejtor policie, pa rektor, pa ministër shëndetësie…

Institucione të rëndësishme të vendit tashmë kanë mbetur pa drejtues.

Pa drejtues aktualisht janë Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Administrata Tatimore e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë dhe shumë institucione të tjera. Me ushtrues detyre mbeten edhe shumë pozita të sekretarëve të përgjithshëm nëpër ministri të ndryshme, shkruan Demokracia.com.

Emërimin e kryeprokurorit të shtetit e ka bllokuar presidentja Vjosa Osmani.

Tashmë kanë kaluar gati tetë muaj nga data kur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit dhe presidentja Osmani ende nuk e ka bërë dekretimin e tij.

Zyra e Presidentes e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial më 8 prill 2022, vetëm dy ditë pas nominimit të tij. E ndonëse e ka obligim ligjor dekretimin e kryeprokurorit, Vjosa Osmani po e zvarrit këtë çështje deri në pafundësi, shkruan Demokracia.com.

Përveç afatit ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja Osmani nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Megjithatë, për dallim nga Osmani, ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte respektuar këtë afat dhe e kishte dekretuar ish-kryeprokurorin Aleksandër Lumezi brenda 60 ditëve nga marrja e propozimit nga KPK-ja.

Muaj më parë, zyra e Osmanit kishte shfaqur dyshime se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit përcjellës dhe konsultimeve me palët e përfshira në monitorimin e procesit ishin ngritur vërejtje për shkelje procedurale dhe parimore, të cilat pretendonin se mund të kenë ndikuar në procesin përzgjedhës, si dhe për mungesë të dokumenteve të rëndësishme, për të cilat Presidenca kishte kërkuar sqarime.

Më 13 maj, zyra e Osmanit ishte njoftuar me një shkresë zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se “njëri nga kandidatët në këtë proces [përzgjedhës], ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Ankesë në Gjykatën Kushtetuese kishin parashtruar Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti. Por, në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese i kishte shpallur të papranueshme mbi baza procedurale kërkesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamitit, të cilët e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në procesin për Kryeprokuror të Shtetit i pari kishte dalë Blerim Isufaj, ndërsa Shqipdon Fazliu ishte renditur i dyti, kurse Armend Hamiti i katërti.

“Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike, siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e Kushtetueses, përcjell Demokracia.com.

Të dy kandidatët në kërkesën e tyre drejtuar Kushtetueses kishin pretenduar se vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 13 qershor kishte dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndërsa, ish-kryeprokurorit Aleksandër Lumezi i kishte skaduar mandati më 21 prill.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.

Pa ministër ka mbetur edhe një prej ministrive më të rëndësishme, ajo e Shëndetësisë dhe rizgjedhjen e ministrit të ri. Për më tepër edhe një institucion vartës i tij, ai i SHSKUK-së, u.d. drejtore e të cilit është Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Po ashtu edhe Policia e Kosovës në një kohë tensionesh të mëdha në veri të vendit mbetet me ushtrues detyre, shkruan Demokracia.com.

Që nga muaji gusht, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Samedin Mehmeti, në vend të tij si ushtrues detyre ishte emëruar Fehmi Hoti.

Në konkursin për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës kanë aplikuar pesë persona. Ata janë Sllagjana Stojanoviq, Gazmend Hoxha, Bahri Shala, Fatos Haziri dhe Granit Fetahu.

Po ashtu, universiteti më i madh publik në Kosovë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, është duke funksionuar me ushtrues detyre.

Detyrën e rektores është duke e ushtruar Luljeta Plakolli-Kasumi për të cilën është raportuar se është familjare e presidentes Vjosa Osmani.

Edhe konkursi për rektor është mbyllur. Në këtë pozitë kanë aplikuar Sefer Avdijaj nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Ermir Rugova nga (FSHMN), Qerim Qerimi nga Fakulteti Juridik, Sali Salihu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Ilir Tolaj nga Fakulteti i Mjekësisë.

Edhe Agjencia Tatimore e Kosovës është me ushtrues detyre. Kolegji i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës ka gjetur se Ministria e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati në mënyrë të kundërligjshme ka shpallë konkursin për pozitën e Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, meqë një procedurë e tillë është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga ministri Xhelal Sveçla.

Kjo pasi që pozita e Drejtorit të ATK-së hyn në kuadër të pozitave të larta të Shërbimit Civil dhe të drejtën për shpalljen e konkursit e ka Ministria e Punëve të Brendshme.

Si rezultat, Kolegji i KPMSHC-së ka kërkuar nga Ministri i Financave që të anulojë konkursin për pozitën e drejtorit të ATK-së dhe që në vazhdim i njëjti të kujdesët që konkursi dhe përzgjedhja për një pozitë të tillë të bëhet në pajtim me rekomandimet e dhëna nga dokumentin e monitorimit të jashtëzakonshëm.