“Qeverisja e mirë” me aktakuza shumë, ministrat e Kurtit në hall me drejtësinë

Kur kryeministri i tanishëm, dikur kryeopozitar, Albin Kurti kishte filluar “ta nuhaste” të ardhmen që partinë e tij do ta sillte në pushtet në Kosovë, ai kishte dalë me fjalë e premtime të mëdha se si do të dukej një Qeveri e udhëhequr nga ai.

Saktësisht më 4 shkurt të vitit të kaluar, kur Kosova ishte ende në fazën e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet që do të mbaheshin 10 ditë më pas, më 14 shkurt, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, atë kohë opozitar dhe kandidat për kryeministër,  përgjigjej qartë e në formë precize në pyetjen nëse në Qeverinë e tij do të ketë ministra me aktakuza, shkruan lajmi.net.

“Jo nuk do të kemi ministra me aktakuza”, përgjigjej shkurtimisht Kurti në një debat të organizuar mbi programin e tij qeverisës, nëse partia që ai udhëheq do të vinte në pushtet, gjë që edhe ndodhi.

Gati dy vite më pas, në Qeverinë e tij, Albin Kurti ka disa ministra me aktakuza për vepra të ndryshme penale, e të tjerë nën hetime nga Agjencia Kundër Korrupsion e Prokuroria e Shtetit.

Rozeta Hajdari

Hetimet e veta ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Prokuroria e shtetit i ka finalizuar me një aktakuzë.

Ndaj ministres në fjalë, është ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, apo dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Para pak ditësh, ngritjen e aktakuzës e konfirmuan për lajmi.net nga Prokuroria e Prishtinës.

“Referuar kërkesës suaj, mund t’iu konfirmojmë se prokurori i çështjes, pas zhvillimit të hetimeve, më 13.10.2022, ka ngritur aktakuzë kundër R.H., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila aktakuzë është proceduar për trajtim të mëtejmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigje.

Siç ishte raportuar në media, “N.SH R&V Consulting”, është biznesi që Hajdari nuk e ka deklaruar fare në formularin e AKK-së.

Donika Gërvalla

Nëse nisemi nga rastet më të freskëta në këtë drejtim, në këtë vijë është edhe ai i ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Gërvalla, që udhëheq me diplomacinë kosovare, krahas problemeve të shumta në dikasterin e saj, mund të përballet me një aktakuzë nga Prokuroria, për të njëjtën vepër penale sikurse kolegia e saj në Qeveri, Rozeta Hajdari.

Kjo pasi që Prokuroria në Prishtinë veç ka nisur hetimet ndaj saj për fshehjen e bizneseve që posedon në Gjermani.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”, i tha lajmi.net në një përgjigje Prokuroria e Prishtinës.

Albulena Haxhiu

Ministre e Drejtësisë, por vetë përballet me drejtësinë. Albulena Haxhiu do të ulet sërish në bankën e të akuzuarit, pasi para një jave u bë e ditur se Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e saj.

Haxhiu akuzohet për “armëmbajtje pa leje”, në lidhje me veprimet e saja të shkaktuara në Kuvendin e Kosovës me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në vitin 2016.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë marrë më 14 tetor 2022 është thënë se Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe çështja kthehet në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Arbërie Nagavci

Ndjenjën e të qenit e akuzuar e ka provuar e po e përjeton edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Njëjtë si ministrja Albulena Haxhiu, edhe Nagavci akuzohet për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kur ishte paraqitur në gjykatë më 29 korrik të këtij viti, Nagavci thoshte se nuk ishte fajtore, ani pse kishte pasur në posedim një sprej me mbishkrimin “NATO sprej”.

Veprimin e saj ajo e arsyetonte me faktin se veprimet e saja kanë qenë të natyrës politike.

“Unë konsideroj ashtu siç e kam thënë në vazhdimësi, unë e kam pas në posedim sprejin me mbishkrimin “nato sprej” dhe se konsideroj se nuk jam fajtore ashtu siç vërehet edhe nga shkresat e lëndës sikurse edhe nga CD që i kam marrë”, tha Nagavci.

“Sepse në ditën kur kam pas sprej ka qenë në shqyrtim marrëveshja për demarkacionin, në të cilën ne e kemi konsideruar të dëmshëm dhe ashtu u vërtetua edhe më vonë”, kishte thënë tutje ministrja në gjykatë.

Xhelal Sveçla

Për veprimet si opozitar, drejtësisë tani po i jep llogari edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ky së bashku me 12 të tjerë, akuzohen se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku ishin lënduar lehtë katër policë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Ata po akuzohen se në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.

Liburn Aliu

Me drejtësinë deri tash vonë është përballur edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ky ishte akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës së kishte shërbyer në komunën e Prishtinës si drejtor.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezultonte se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Megjithatë, akuzat ndaj Aliut ishin hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e më pas vendimin e kishte konfirmuar edhe Apeli, duke bërë që Aliu të lirohet nga ndjekja penale