Pak ditë pasi Qeveria mori vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, në pikat kryesore të kryeqytetit u vendosën billborde gjigante ku falënderohej kryeministri Ramush Haradinaj. Pankartat që dukeshin se papritmas filluan zgjedhjet nuk dihet se kush i vendosi. Zyra e Kryeministrit distancohet nga to, duke kërkuar menjëherë që të hiqen, ndërsa institucionet tjera deklarohen se nuk dinë asgjë rreth tyre.

Të premten Prishtina u stolis me fotografitë e kryeministrit për një vendim qeveritar ndërsa nuk dihej se vepër e kujt ishin pankartat që ngjanin në ato të zgjedhjeve.

Zyra e Kryeministrit Haradinaj, të cilit i dedikohen këto pankarta për Gazetën Express thotë se ata nuk i kanë porositur e as nuk kanë pasur njohuri për billborda.

“Nuk është në strategjinë tonë të komunikimin kjo formë dhe as në interesin institucional dhe Zyra e Kryeministrit kërkon që ato të hiqen nga kompetentet”, ka thënë të shtunën zëdhënsja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Pankartat “Tash jam 100% shtet. Falëmnderit kryeministër”, mbuluan Hotelin Grand, Pallatin e Rinisë, dhe rrugët në Prishtinë , pak ditë pasi Haradinaj mori vendim për vënien e taksës ndaj produkteve serbe.

Ballkani.info merr vesh se kjo fotografi e Haradinajt është bërë gjatë fushatës së fundit zgjedhore, respektivisht gjatë përgatitjes së spotit zgjedhor.

Nga burime brenda AAK-së mësohet se dizajni është bërë nga rinia e AAK-së dhe po ashtu me kërkesë të rinisë së AAK-së edhe është reklamuar nëpër billborde.

Ndërkaq, hapësirat raklamuese janë lëshuar nga kompania “Selmans Network”, e afërt me AAK-në.

Drejtor i kompanisë është Kujtim Selmanaj, djali i vëllait të deputetit të AAK-së, Rasim Selmanaj. /Ballkani.info/