Qeveria ua ndali pagat, por SBASHK-u nuk tërhiqet nga greva

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po vlerëson se mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit e Kosovës është një formë presioni për ta thyer grevën.

Përkundër ndaljes së pagave, ata thonë se mësimdhënësit janë të vendosur që ta vazhdojnë grevën.

Kështu ka thënë sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, në një prononcim për Demokracia.com.

“Ne mendojmë që është duke vazhduar një formë e presionit për me fillu mësimin nesër, gjegjësisht me thy grevën, që është në kundërshtim me Ligjin mbi Organizimin Sindikal dhe mbi Ligjin mbi Grevën. Pavarësisht që sot nuk janë procesu pagat e punëtorëve arsimorë në sistemin parauniversitar, megjithëse sistemit universitar ju kanë procesu pagat. Mendojmë që është një përpjekje e Qeverisë për të detyruar të punësuarit që të ndërpresin grevën e filluar më datën 25, por përkundër të gjithë këtyre trysnive, mësimdhënësit janë të vendosur që të vazhdojnë me grevën deri në realizimin e kërkesave”, tha Ymeri për Demokracia.com.

Ymeri ka thënë se SBASHK nuk do të tërhiqet deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Këshilli Grevistë i BSBK-së i kryesuar nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka vizituar komunat e Vushtrrisë dhe Mitrovicës dhe jemi në kontakt të vazhduar me kryetarët e sindikatave komunale, gjegjësisht me kryetarët e këshillave grevistë nëpër komuna, ata janë të vendosur që greva të vazhdohet deri në realizimin e kërkesave, pavarësisht pretendimeve të Qeverisë dhe presioneve që po ju bëhen nga Qeveria për t’i ndaluar pagat”, tha Ymeri.

Ai për Demokracia.com shtoi se 90 për qind e anëtarësisë së SBASHK-ut janë pjesë e grevës.

Po ashtu, Ymeri kishte edhe një sërë kritikash për ministrin Hekuran Murati.

“Në një konferencë të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, nuk u kuptua se a është ministër i Financave, ministër i Arsimit, gjykatës a çka është. E interpretoi ligjin, përkundër se i njëjti ligj thotë për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit përgjegjës është Inspektorati i Punës. Përveç që e kuptuam që është një tendencë për të bërë presion për me fillu mësimin nesër. Nëse ministri pretendon që 90 për qind e anëtarësisë së SBASHK-ut nuk është në grevë atëherë fillon mësimi, por ne e dimë të kundërtën. E gjithë anëtarësia e SBASHK-ut me ndonjë përjashtim të vogël që ndoshta nuk ja vlen të përmendet, 10 persona në krejt Kosovën ose një numër i caktuar i shkollave për shkak të presionit që po ju bëhet mundet që të vazhdojnë mësimin nesër. Ne asnjë mësimdhënësi e asnjë shkolle nuk ju bëjmë presion, ajo është sipas kërkesës së tyre. Ne jemi duke realizuar kërkesën që ata e kanë paraqit”, tha Ymeri.

Sekretari i SBASHK ka thënë se mësimdhënësit janë të vendosur që të mos dorëzohen.

Ai ka thënë se për momentin protestat nuk janë opsion, por nuk përjashtohen në të ardhmen