Përparim Kryeziu

Qeveria tregon se kur do të emërohet shefi i ri i AKI-së

Edhe pse janë bërë 22 ditë kur u formula qeveria e re dhe më tepër se një javë nga zgjedhja e presidentes, këto dy institucione ende nuk kanë vendosur ta emërojnë shefin e ri të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës.

Për këtë çështje sot pas mbledhjes së Qeverisë ka folur zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, i cili ka konfirmuar se kreu i ri i AKI-së do të zgjidhet shumë shpejt, por nuk ka dhënë një datë të caktuar.

“Emërimi i drejtorit të AKI-së bëhet në bashkëpunim mes presidentes dhe kryeministrit. Jemi shumë të vetëdijshëm me seriozitetin e kësaj çështje dhe po mundohemi dhe punojmë në vazhdimësi që kjo të përmbyllet sa më parë. Tash që kemi një presidente në zyrë, që nga ai moment Kurti e Osmani kanë shtuar konsultimet e tyre dhe shumë shpejt do të emërohet drejtori i ri i AKI-së”, ka thënë Kryeziu.

Kujtojmë se ka më shumë se tre muaj që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka mbetur pa drejtor, kjo pasi ish-Kryeministri, Avdullah Hoti, e liroi nga detyra Kreshnik Gashin më 29 dhjetor të 2020-tës, e më pas nuk arriti të bie në ujdi me ish-u.d. e Presidentit Vjosa Osmanin për emrin e kryespiunit të ri.

Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Më parë reporteri ka raportuar se janë propozuar disa emra të kandidatëve për drejtor të AKI-së e që të njëjti edhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit nga institucioni që synojnë ta marrin në drejtim. Latif Merovci, Vlora Hyseni, Drizan Shala e Burim Ramadani janë emrat e propozuar ndarazi nga Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit, e që sipas burimeve edhe i kanë kaluar testet e verifikimit.

Kujtojmë se vetëm në gjashtë vjetët e fundit, në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë post në shkurt të vitit 2009. Një vit pas riemërimit, më 2015 ai kishte dhënë dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Agron Selimaj. Ky i fundit po ashtu kishte dhënë dorëheqje dy vjet më vonë, më 2017.

Në vend të tij, më 2017, u emërua Driton Gashi, të cilit iu kërkua të lironte detyrën vetëm një vit pas marrjes së detyrës, për shkak të skandalit me arrestimin dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Ndaj tij, sot ka të ngritur edhe aktakuzë për të njëjtin rast që u shkarkua.
Që atëherë, në pozitën e drejtorit të AKI-së ishte emëruar Kreshnik Gashi, të cilit po ashtu iu kërkua largimi nga ky post, në dhjetor të vitit të kaluar.

Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Në bazë të ligjit në fuqi, drejtori i AKI-së i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.