Diplomacia

Qeveria shpërndan qarkore diplomatike për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në prag të krijimit të Ushtrisë së Kosovës, e ka nisur një qarkore diplomatike në drejtim të shefave të misioneve diplomatike të Kosovës nëpër botë, si dokument informimi rreth transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në këtë dokument të siguruar nga Ballkani.info, thuhet se gjithsej në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në vetë Forcën e Sigurisë së Kosovës, personel ushtarak dhe civil janë 3535, ku prej tyre personel ushtarak janë 2500, kurse personel civil janë 235 dhe rezervë 800.

Infrastruktura e re mbrojtëse e Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas kësaj qarkoreje diplomatike, do t’i ketë 5000 pjesëtarë aktivë dhe ajo bazohet në një mision të plotë të mbrojtjes së integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, vizion ky që promovon stabilitet dhe siguri, jo vetëm për nevojat e brendshme të Kosovës, por edhe për rajonin dhe më gjerë.

Kjo është qarkorja diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Forcën e Sigurisë së Kosovës:

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është Forcë profesionale, shumetnike, lehtë e armatosur dhe e uniformuar e Sigurisë, e cila i nënshtrohet kontrollit demokratik, civil.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) është përgjegjëse për ushtrimin e kontrollit civil mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), përfshirë edhe menaxhimin dhe administrimin.

Përbëhet nga një përzierje e civilëve dhe personelit të FSK-së dhe përmes Kryeministrit i jep llogari Kuvendit të Kosovës.

Gjithsej në MFSK dhe në FSK personel ushtarak dhe civil janë 3535. Personel ushtarak janë 2500, personel civil janë 235 dhe rezervë 800.

Ministria e Forcës së Sigurisë ka ndjekur politika që janë në përputhje të plotë me ato të NATO-s dhe të gjitha zhvillimet që lidhen me FSK-në janë ndjekur në të njëjtën frymë. Në kuadër të rrugës së përbashkët që kanë bërë FSK-ja, së bashku me misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR-in), janë arritur rezultate të mëdha në faktorizimin e FSK-së në rrafshin vendor dhe atë ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe FSK-ja ka fuqizuar partneritetin bilateral me SHBA-të, vendet e BE-së dhe vende të rajonit. Në kuadër të këtyre bashkëpunimeve, FSK-ja ka realizuar Program Partneriteti me Gradën Kombëtare të shtetit të Iowa-së të SHBA-ve, si dhe ka marrë pjesë disa herë me mision humanitar në zonat e përmbytura në Shqipëri. Duke u konsideruar si një forcë moderne dhe plotësisht e ndërtuar me standarde të NATO-s, Këshilli Veri-Atlantik më 9 korrik 2013 deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur kapacitetet e plota operacionale dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të përcaktuara brenda mandatit të saj dhe të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.

Prezenca e NATO-s në Kosovë zhvillohet përmes misionit të KFOR-it si dhe përmes Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s – NALT për MFSK dhe FSK, i cili raporton drejtpërdrejtë në selinë ushtarake dhe politike të NATO-s në Bruksel.

Kosova po vazhdon të zhvillojë kapacitete në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes evoluimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Procedura e transformimit të FSK-ës bëhet përmes tri projektligjeve të cilat do të miratohen më 14 Dhjetor 2018 në sesionin e radhës të Parlamentit të Republikës së Kosovës :

1.Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së , si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave e Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

2. Projektligji për Shërbimin në FSK – Ky projektligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies. Ky projektligj gjithashtu përcakton kriteret e përgjithshme për shërbim, parametrat e shërbimit, kohëzgjatjen e shërbimit, zhvillimin e karrierës, ndërprerjen e shërbimit, statusin e pjesëtarit të FSK-së, të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve dh çështje tjera në kuadër të shërbimit në FSK dhe

3 .Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes – Më këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i MFSK-së në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj. Ministria e Mbrojtjes do të harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivelin strategjik, si dhe do të ushtron funksionet e kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën, dhe me kёtё ligj. Projektligji në fjalë, përcakton në mënyrë të detajuar edhe kompetencat e Ministrisë, kompetencat e Ministrit të Mbrojtjes e po ashtu edhe kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm.

Këto projektligje, parashohin që Forca e Sigurisë së Kosovës të zhvillohet si një forcë me kompetenca dhe detyra të reja, organizim dhe funksionim të ri dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.

Kjo infrastrukturë e re e mbrojtëse, e cila do ti ketë 5000 pjesëtar aktiv, bazohet në një mision të plotë të mbrojtjes së integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, vizion që promovon stabilitet dhe siguri, jo vetëm për nevojat e brendshme të Kosovës, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Kjo forcë do të jetë shumetnike dhe profesionale, e cila do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, do të kontribuoj në integrimin evropian të Kosovës dhe përafrimin me vlerat Euro-Atlantike, si dhe do të mundësoj që Republika e Kosovës të mos jetë konsumues i sigurisë por të bëhet ofrues i sigurisë rajonale dhe globale.

Siguria kombëtare e Kosovës është e lidhur ngushtë me sigurinë rajonale dhe sigurinë Euro-Atlantike, prandaj, Kosova është e interesuar që sa me shpejte të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe të zyrtarizojë marrëdhëniet kontraktuale me NATO-në. Pra, Kosova ka për qëllim që të forcojë nivelin e saj të sigurisë përmes një politike bashkëpunuese në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me NATO-n, BE-në, si dhe përmes bërjes pjesë dhe bashkëpunimit me iniciativat rajonale në fushën e sigurisë. /Ballkani.info/