“Qeveria s’është duke punuar” – Qytetarët të painformuar për reduktimet e energjisë

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të përballen me reduktime të energjisë elektrike me nga dy orë.

Ndërkaq KESCO ka lajmëruar që për reduktimet me energji eklektike, qytetarët mund të informohen përmes platformës e-Kesco, megjithatë qytetarët ende vazhdojnë të mbesin të painformuar për reduktimet.

Ata thonë se po informohen vetëm përmes mediave apo rrjeteve sociale. Po ashtu problem i theksuar në kryeqytet janë ashensorët.

Albert Bytyqi, banor i njërës nga ndërtesat në kryeqytet, tregon për KosovaPress se nuk e di ku të informohet për orarin e reduktimeve, për çka i ka ndodhur që të mbetet edhe në ashensor për 20 minuta.

“Po, mua më ka ndodhur në mbrëmjen e së premtes. Unë banoj në lagjen “Qafa”, rruga “UÇK”. Pasi jam kthyer nga puna dhe po shkoja në banesë në të cilën banoj më katin e 12-të, kam hipur në ashensor dhe në katin e katërt është ndërprerë energjia elektrike. Kam qenë vetëm në lift dhe nuk kam bërë panik, por e kam marr me qetësi, sepse për fat të keq kjo nuk ishte hera e parë që më ndodh. Menjëherë e kam kontaktuar personin përgjegjës për këtë bllok të banesës. Kam pritur ashtu i bllokuar rreth 20 minuta derisa erdhi personin të cilin e kontaktova dhe më hapi derën. Ky është një problem mjaft serioz, sepse mund të ketë persona të moshuar ose fëmijë që mund ta përjetojnë me frikë, por edhe mbetja për një kohë të gjatë brenda liftit sjell edhe probleme me frymëmarrje”, ka thënë Bytyqi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Zenor Kalludra, qytetar nga Klina, thotë se për reduktimet po informohen përmes mediave apo edhe rrjeteve sociale.

“Po informohemi përmes mediave, Facebook-ut… Problem boll kur s’bën televizioni apo kurrfarë informimi. Terr, mjerim në shekullin 21”, thotë ai.

Çun Lajqi, qytetar tjetër nga Prishtina, thotë se reduktime ka mjaft shumë, ndërsa shton se nuk e përdor platformën e-Kesco për t’u informuar për reduktimet.

“Po ka (reduktime) boll… Askund (nuk po informohen) veç kur po ndalen dritat po e shoh se ka ndalesë, përndryshe nuk e di… Nuk e përdori (platformën e-Kesco)”, thotë ai.

Teuta Telaku, auditore e brendshme në Ministrinë e Financave shprehet e shqetësuar me reduktimet e rrymës, për shkak të të cilave thotë se i ka ndodhur që të bllokohet brenda në ashensor. Ajo tregon për KosovaPress se njoftohet vetëm nga mediat për reduktimet.

“Kam pas shqetësim ne ndaljen e rrymës dhe kam qëndruar 20 minuta në lift. Kjo më ka ndodhur duke u kthyer në banesë pas punës, po ashtu temperaturat kanë qenë shumë të larta dhe brenda nuk kishte as ajër. Madje, nuk kishte as valë për ta përdorur telefonin. E vetmja mundësi ishte të trokisja në derë të liftit, derisa erdhën dy persona dhe më ndihmuan të dilja. Lifti kishte mbetur në mes betonit, isha edhe e rrezikuar. Nuk e di pse KEDS-i nuk vepron pas ndaljes së rrymës, të lëshohet rryma për pak minuta sepse ka njerëz që mbesin në lift”, ka thënë Telaku.

Ujup Ahmeti, qytetar nga Prishtina akuzon Qeverinë për reduktimet. Ai thotë se Qeveria nuk është duke punuar.

“Energji elektrike s’kemi. Dy orë kemi dhe katër s’kemi. S’po e kuptojmë shtetin. As s’ka rrymë, as ujë. Qeveria s’është duke punuar… Lajmet i shikoj ma shumë…përmes lajmeve”, tha ai.

Zymrye Bytyqi, banore në njërën nga ndërtesat në kryeqytet, ka thënë se mjaft shumë po ballafaqohen me reduktime të energjisë elektrike. Ajo thotë se mbrëmë nga reduktimet, një fqinje e saj ka mbetur në ashensor me dy fëmijët e saj.

“Dy orë pa rrymë e gjashtë me rrymë… Fqinjës i ka ndodhur (të mbetet në ashensor) me dy fëmijë mbrëmë”, ka thënë ajo.

Ndërsa përmes telefonit, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për KosovaPress se sa i përket orarit të reduktimeve me energji elektrike qytetarët mund të informohen përmes platformës e-Kesco.

Kujtojmë që reduktimet me energji elektrike kanë filluar të aplikohen që nga dita e hënë.