Qeveria rikthen në punë dy sekretarë të afërt me LDK-në dhe një me Nismën

Qeveria e Kosovës i ka rikthyer në detyrë tre sekretarë të përgjithshëm. Dy përfitues të këtij vendimi janë njerëz të afërt me Lidhjen Demokratike që udhëheq me Qeverinë, e njëri me Nismën Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit.

Të tre janë të përfshirë në histori abuzimesh.

Me vendimin e parë, Burim Rreci është rikthyer sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ky dikaster qeveritar drejtohet nga Vesel Krasniqi i Nismës.

“Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i caktuar me vendimin e qeverisë numër 1/26 të datës 29.01.2018, duhet të kthehet dhe të vazhdojë punën brenda mandatit ligjor brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë ministri i MTI-së, Vesel Krasniqi.

Rreci ka një histori hyrje-daljesh në këtë funksion.

Në gusht të vitit 2018, Rreci ishte suspenduar nga detyra e sekretarit, nën arsyetimin për ndërhyrje në grante e tenderë.

Por, ky vendim i kishte kushtuar me shkarkim nga posti ministrit të atëhershëm, Bajram Hasani.

Menjëherë pas kësaj, Rreci ishte rikthyer në pozitë dhe kishte qëndruar aty deri në shkurtin e sivjetmë, kur Qeveria Kurti i largoi disa sekretarë ministrish.

Sa ishte sekretar, Rraci kishte punësuar në Ministri edhe dhëndrin e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, në pozitën e konsulentit për çështje financiare.

Kryeministri Avdullah Hoti e ka arsyetuar këtë kthim dhe dy të tjerët.

Dy vendimet pasuese i vënë në pozita sekretarësh njerëz të afërt me Lidhjen Demokratike të kryeministrit Hoti.

Izedin Bytyçi është caktuar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilën e udhëheq Arban Abrashi.

Bytyçi ishte bërë pesë vjet më parë sekretar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në kohën kur ky dikaster drejtohej po nga Abrashi. Në atë mandat, Bytyçi ishte kritikuar se nga pozita e sekretarit, e kishte angazhuar në një projekt renë e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Ky sekretar nuk e kishte deklaruar pasurinë në vitin 2011, derisa ishte udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Për këtë, ishte dënuar më 2012 nga Gjykata për shkelje të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.

Sekretari i tretë është Lulëzim Ejupi, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në krye të së cilës është nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Ejupi ishte bërë sekretar i së njëjtës ministri në vitin 2017, kur ajo drejtohej nga Skënder Hyseni, një tjetër eksponent i LDK-së. Atëkohë, KOHA pati raportuar se as Ligji për Shërbyesit civilë dhe as Rregullorja për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese nuk ishin respektuar nga Qeveria në këtë proces emërimi.