Qeveria reagon pas raportimeve se Kosova nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare deri në vitin 2023

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas raportimeve për shtyrjen deri në vitin 2023 të moratoriumit për aplikim në organizatat ndërkombëtare.

Në reagimin e Qeverisë përmendet një gabim teknik ku thuhet se hartimi i Planit të Qeverisë ka kaluar nga formati një vjeçar në atë tre vjeçar, ku janë përfshirë edhe hapat procedural që supozohen të ndërmerren në vitet pasardhëse.

Ky ndryshim, sipas Qeverisë ka rezultuar me shfaqjen e disa gabimeve teknike gjatë procesit të hartimit. Një ndër to është edhe mosvendosja e aktiviteteve të planifikuara në rubrikat përkatëse. Konkretisht, aktivitetet e MPJD-së për vitin 2022 janë vendosur gabimisht në rubrikën e aktiviteteve për vitin 2023.

Kumtesa e plotë:

Plani i Punës së Qeverisë (PPQ) është dokumenti kryesor për planifikimin dhe monitorimin e zbatimit të aktiviteteve për arritjen e prioriteteve afatmesme të Qeverisë. Procesi për hartimin e këtij plani është mjaftë i gjatë, me hapa të shumtë procedural dhe kërkon koordinim të jashtëzakonshëm.

Një ilustrim i thjeshtë i procesit të hartimit të këtij plani është që departamentet e veçanta të institucioneve qendrore përcaktojnë aktivitetet që i kanë planifikuar për të ardhmen. Këto aktivitete vendosën në formatin e PPQ-së dhe shtjellohen tutje në mënyrë që të bëhet i mundshëm monitorimi dhe vlerësimi afatmesëm i zbatimit të këtyre aktiviteteve, që pasqyrojnë arritjen e Objektivave të Qeverisë.

Në fillim të vitit 2020 hartimi i PPQ-së ka kaluar nga formati një vjeçar në atë tre vjeçar, ku janë përfshirë edhe hapat procedural që supozohen të ndërmerren në vitet pasardhëse.

Ky ndryshim ka rezultuar me shfaqjen e disa gabimeve teknike gjatë procesit të hartimit. Një ndër to është edhe mosvendosja e aktiviteteve të planifikuara në rubrikat përkatëse. Konkretisht, aktivitetet e MPJD-së për vitin 2022 janë vendosur gabimisht në rubrikën e aktiviteteve për vitin 2023.

Drafti i PPQ-së është një dokument i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik. Në këtë fazë është nxjerrë në konsultim publik, nga Zyra për Qeverisje të Mirë. Bëhet fjalë për një draft (projekt-propozim) i cili do të kaloj edhe hapa të tjerë të plotësim-ndryshimit dhe rishikimit para se të marrë formën përfundimtare dhe të miratohet nga kabineti qeveritar.