Qeveria publikon shkeljet e Serbisë: I prezantuam në takimin e 2 majit në Bruksel

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka publikuar në gjuhën shqipe një përmbledhje të shkeljeve të Serbisë të marrëveshjes bazike.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Kryeziu ka thënë se Serbia ka shkelur marrëveshjen bazike, preambulën e saj dhe një nen të planit të zbatimit.

“Kjo është përmbledhja, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë. Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel.” – thuhet në postimin e tij.

Ndërkohë, para disa ditësh në një konferencë me gazetarët, zëdhënësi Stano fillimisht deklaroi se ekipi menaxhues nuk ishte pjesë e asnjë prej delegacioneve – pra as atij serb, as atij kosovar.

“Ata nuk ishin pjesë as e delegacionit serb, as atij kosovar. Kjo është në linjë me marrëveshjet e dialogut, anëtarët e ekipit janë propozuar nga Serbia dhe janë emëruar nga Kosova.” – tha ai.

Stano ka deklaruar edhe një herë se vendimi për të shkarkuar ekipin menaxhues “shkel letrën e marrëveshjeve të dialogut”.

“Prandaj, vendimi për ta shpërbërë ekipin menaxhues i shkel letrën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut dhe për çdo vendim për Ekipin Menaxhues duhet të ketë pajtim në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” – u shpreh ai.