Qeveria publikon pamje të eskortës që e përcillte Kurtin në Washington

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje ndodhet qe dy javë.

Sot, në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, janë publikuar pamje të eskortës së kryeministrit në Washington D.C.

“Eskorta e Kryeministrit Kurti në Washington, D.C”, thuhet sipër videos.

Ndryshe, këto pamje vijnë dy ditë pasi nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitkaku, tha se s’e ka parë Shërbimin Sekret në përcjellje të kryeministrit Kurti dhe pas një video që u publikua, ku shihej se Kurti vozitej nga Ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli.

“Është përgjegjësi e madhe që ta kesh kryeministrin për një kohë kaq të gjatë në vendin ku shërben. Nuk më ka ndodhur asnjëherë. Mirëpo diçka që unë kam vënë re që shërbimi sekret që rëndom i shoqëron krerët e shteteve, qeverive, nuk e kam parë në përcjellje të kryeministrit (Kurti). Ndoshta s’ka bërë kërkesë. Mua nuk më ka ndodhur”, tha ajo në Kanal 10.

Po ashtu, Çitaku përmendi ish-liderët kosovarë që derisa kanë vizituar ShBA-në, ishin nën përcjellje të Shërbimit Sekret të atij vendi.

“Ish-presidentja Jahjaga, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeministrat Haradinaj, Mustafa e Hoti kanë qenë të shoqëruar nga shërbimi sekret. Kjo ta heq një barrë të madhe në aspektin logjistik”, shtoi ajo.

Kurti është në vizitë në SHBA që prej datës 6 maj.