Qeveria e Kosovës

Qeveria ‘përjashton’ britanikët për drejtor të AKP-së

Qeveria e Kosovës e ka shkelur sërish memorandumin që e ka me Ambasadën Britanike për emërime në pozita të larta. Nuk e ka përfshirë fare në projekt ambasadën me rastin e zgjedhjes së drejtorit të AKP-së, Valon Tolajt, ish-zyrtar i AAK-së. Buletini Ekonomik ka siguruar letrën e Ambasadës Britanike drejtuar deputetëve që janë anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Zgjedhja e Valon Tolajt në krye të Agjencisë Kosovare të Privatizimit është bërë pa ‘izën’ e Ambasadës Britanike në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk e ka përfshirë fare në projekt ambasadën me rastin e zgjedhjes së drejtorit të AKP-së, Valon Tolajt, ish-zyrtar i AAK-së. Kjo përkundër faktit se Qeveria dhe Ambasada kanë një memorandum bashkëpunimi për këtë punë.

Buletini Ekonomik ka siguruar letrën që Ambasada Britanike u ka dërguar disa deputetëve të Kuvendit, që janë pjesë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, duke i njoftuar ata me shkeljet që janë bërë.

“Përkundër kërkesës sonë zyrtare dërguar Qeverisë, Kuvendit dhe AKP-së, procesi i emërimit në këto pozita është bërë pa përfshirjen e projektit tonë”, thuhet në letrën e Ambasadës Britanike drejtuar deputetëve.

Në letë përvec pozitës se kryesuesit të Bordit të AKP-së dhe një anëtari tjetër, përmendet edhe pozita e Drejtorit Menaxhues, pozitë kjo në të cilën u zgjodh Valon Tolaj, ish-zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, që do të mbahet të hënën, me 10 dhjetor, pika e 4 e rendit të ditës është: shqyrtimi i vendimit të qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të AKP-së. Tani sa për imformatë, ju bëjmë me dije se këto pozita, si dhe pozita e Drejtorit Menaxhues, kanë qenë në listën e pozitave të dakorduara mes Qeverisë, Kuvendit dhe Ambasadës Britanike, të parapara të rekrutohen me ndihmën e partnerit zbatues”, thuhet në letër.

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe listën e institucioneve të përfshira për mbikqyrje nga Ambasada Britanike, në mesin të cilave figuron edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Ndryshe ky nuk është rasti i parë që Qeveria e Kosovës e shkel memorandumin që e ka me britanikët. Sapo e kishte marrë detyrën e kryeministrit, Ramush Haradinaj ishte shfaqur publikisht me 10 tetor të vitit të kaluar me ambasadorin britanik Ruairi O’Connell. Të dy i vendosen firmat etyre në një memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit Ambasada do të asistonte në rekrutimin e njerëzve kredibilë nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.

Megjithatë pak pa u bërë një vit nga ky nënshkrim, Qeveria e Kosovës dëshmoi se thirrja e britanikëve për ta mbikëqyr procesin nuk kishte qenë aspak e sinqertë. Ideja e memorandumit me britanikët, të cilët dhanë gjysmë milioni euro, nuk u respektua pothuajse në asnjë rastë nga partneri, Qeveria e Kosovës.

Përjashtimi i ambasadës nga përzgjedhja e bordit të Trepçës dhe përzgjedhja politike e sekretarëve në MTI dhe MASHT si dhe përzgjedhja e dy anëtarëve politik në Bordin e ZRRE-së, janë vetëm disa prej shkeljeve kryesore. Po ashtu, pa e njoftuar ambasadën, Qeveria kishte proceduar me Komisionin për Provimin e Jurisprudencës, Trustin Pensional të Kosovës, Guvernatorin e Bankës Qendrore, Anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore dhe Agjencia Kosovare e Privatizimi.

loading...