Qeveria për urën mbi Ibër: Heqja e pengesave të lëvizjes, vendim i drejtë

Qeveria e Kosovës e ka quajtur vendim të drejtë nismën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe.

Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

“… Vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për hapjen e urës më 28 prill.

Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

Deri më tani nuk është bërë e ditur se si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.