Qeveria padit Shtëpinë Botuese franceze që e quajti Kosovën vend të manastireve serbe

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka thënë se të mërkurën kanë bërë kërkesë për inicim të padisë ndaj shtëpisë botuese franceze “Petit Fute” lidhur me një publikim ku “Kosova prezantohej si vend i manastireve serbe”.

Hajdari ka shkruar në Facebook të mërkurën në mbrëmje, se inicimi i padisë është për bërë shkak se “Petit Fute” ka publikuar një material që është kundërshtuar në vazhdimësi dhe ka bërë publikimin e tij pa miratimin e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA).

“Inicimi i padisë kundër Shtëpisë Botuese ‘Petit Fute’ është bërë për arsye se e njëjta ka kryer veprime të kundërligjshme dhe të dëmshme për imazhin e Republikës së Kosovës, duke shkelur marrëveshjen e lidhur me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve-KIESA duke mos publikuar materialin promovues të turizmit të dërguar nga KIESA, por ka publikuar një material që është kundërshtuar në vazhdimësi dhe ka bërë publikimin pa pasur miratim nga KIESA. Po ashtu, ‘Petit Fute’ nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për largimin e shkrimit të artikullit në faqet 94 dhe 95 të katalogut të tyre, përkundër kërkesës dhe paralajmërimit nga KIESA-MINT”, ka shkruar Hajdari.

Ajo ka thënë se historinë e Kosovës nuk mund ta ndryshojë askush dhe se do të punojë për ta mbrojtur të vërtetën e saj.

Në artikullin e saj “Petit Fute” e ka quajtur Kosovën si vend ku kanë lindur manastiret e kishës ortodokse serbe.

Grupi parlamentar i PDK-së në një seancë të Kuvendit në fillim të këtij muaji, ka kërkuar dorëheqjen e ministres Hajdari duke konsideruar se publikimi i artikullit është bërë me pëlqimin e saj.