Qeveria nuk bën asgjë për të rinjtë – gjermanishtja shihet si “shpëtim”

Është 24 vjeçar nga Prishtina dhe punon në një nga marketet e kryeqytetit. Por jashtë orarit të punës ai është duke e ndjekur një kurs intensiv për gjuhen gjermane, ku tash ka arritur në nivelin “A2”.

A.B nuk preferoi t’i publikohej emri për shkaqe personale, por i ka thënë Gazetës Express që gjuhën gjermane është duke e mësuar për të qenë më efikas në tregun gjerman.

“Kam aplikuar për vizë dhe po e mësoj gjuhën që të jem gati për një jetë më të mirë”, thotë ai.

Tregon se ka edhe shokë e shoqe tjerë që janë duke e mësuar gjuhën gjermane për po të njëjtin qëllim.

Që kurset e gjuhës gjermane janë të kërkuara e pohon edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat.

Në një përgjigje për Express, Azemi thotë se nuk ka indikacione që gjendja do të përmirësohet.

“Pas 23 viteve lufte po shihet që ne nuk kemi sinjale as sot as nesër, e as pas 1 viti që do të bëhet mirë. E themi me plot përgjegjësi të rinjtë janë duke u përgatitur me kurse të ndryshme dhe po aplikojnë nëpër ambasada për t’u larguar nga Kosova”, ka thënë Tahiri.

Ka akuzuar institucionet e shtetit që asgjë nuk kanë bërë për sektorin privat, duke paralajmëruar ikje masive të të rinjve.

“Ne vetëm iu urojmë ta kenë fatin dhe shëndetin”, ka deklaruar Azemi.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë vitit 2021 42 mijë e 728 qytetarë janë larguar nga Kosova.

Opozita gishtin kah Qeveria

Besnik Tahiri, shef i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se sektori privat, por edhe ai publik kurrë nuk kanë qenë me keq.

Fajtor e sheh ekzekutivin e udhëhequr nga Albin Kurti.

”Të rinjtë janë duke e humbur shpresën nga një Qeveri që nuk i jep mundësi as një të riu. E gjithë çfarë bën Qeveria janë skemat sociale e nuk bën asgjë për zhvillim ekonomik dhe punësimin“, ka thënë ai në një prononcim për Express.

Sipas tij kërkesa më e madhe është për punësim. Ndërkohë pretendon se Qeveria “është duke e luftuar sektorin privat“.

”Problemi është pak më i thellë këtu korporatat vendore janë duke u sulmuar dhe atakuar e lëre më tjerëve. Ju e dini koncepti i oligarkëve, këtu i kemi disa korporata që janë obligime të mëdha dhe ne i quajmë oligarkë“, ka deklaruar Tahiri.

Ka thënë se mënyra sesi “luftohet“ sektori privat tregon se ekzekutivi nuk bën asnjë përpjekje për zhvillim.

Qeveria proklamon se gjendja po përmirësohet

Përfaqësuesit e pushtetit vazhdimisht e kanë proklamuar në opinion një rritje ekonomike dyshifrore për vitin 2021.

Rrjedhimisht, kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook më 8 tetor, ka shkruar për “një mori suksesesh” që sipas tij janë arritur gjatë qeverisjes së tij.

“Në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, ka shkruar Kurti.

Ka pretenduar se pos rritjes së vendeve të punës, ka pasur edhe shtim të profitit të bizneseve si dhe qarkullim më të madh të eksportit.

“Progresi ekonomik nuk është hamendësim e as rastësi. Ai është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë. Shifrat dhe indikatorët më lart janë dëshmia jonë për këtë”, ka ardhur në përfundim Kurti.

Ndërkaq, Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka kërkuar më 9 nëntor se bizneset të ju rrisin pagat punëtorëve, duke përmendur edhe ndihmë për bizneset të cilat veprojnë në këtë drejtim.

“Për ta bërë më të lehtë, qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme”, ka deklaruar ai.

Gjithçka lëviz pos pagave.

Kosova mund të krenohet që ndër vite ka pasur rritje të GDP-së, rritjes së profitit biznesor, eksporteve, vendeve të punës e komponenteve të tjera makroekonomikë – të cilat janë theksuar në vazhdimësi nga qeveritarët.

Por pagat kanë lëvizur pak ndër-vite. Në bazë të të dhënave të ASK-së paga mesatare në këtë sektor në vitin 2012 kishte qenë 308 euro, ndërkaq në vitin 2021 ishte 376 sosh. Një rritje për vetëm 68 euro.

Ndërkohë, çmimet e lëndës së parë dhe të konsumit janë rritur në 12.7 për qind për muajin shtator si rezultat i inflacionit.

Inflacioni sipas Bankës Botërore në Kosovë rezulton të jetë më i lartë se 19 për qind.