Qeveria nis të përgatitet për padinë e Devollit në Arbitrazh

Qeveria e Kosovës ka votuar me shumicë votash në mbledhjen e sotme propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen e ekspertit financiar që do të përpilojë ekspertizën financiare për rastin “Devolli” të kërkuar nga Tribunal i Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se afati i fundit për dorëzimin e ekspertizës ndaj padisë që i është bërë Kosovës në Tribunalin e Arbitrazhit është data 30 prill e këtij viti.

“Në momentin që kam pranuar detyrën për shkak të neglizhencës në të kaluarën jemi përballur me shumë situata emergjente ndaj të cilave duhen veprime të mëtejme për të mbrojtur Kosovën pranë Arbitrazhit ndërkombëtar ku jemi paditur si shtet. Në linjë me këtë propozoj ta shqyrtoni propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen eksperti financiar që të përpilojë ekspertizën financiare për rastin ICC HBH Devolli të kërkuar nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar. Afati për dorëzimin e ekspertizës është data 30 prill 2021 dhe mos respektimi i afateve do të ketë pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Telekomi dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009, me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh.

Si rrjedhojë, 12 vjet pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi prej rreth 30 milionë eurosh ndaj ZMobile, një pjesë e të cilit është paguar. Pas mosvazhdimit të kontratës, tani kjo kompani po synon që nga Kosova t’i marrë edhe 25 milionë euro pikërisht për këtë arsye.