Qeveria miraton vendimin për dërgimin e FSK-së në Turqi

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e FSK-së për ndihmë në Turqi, pas situatës së krijuar nga goditjet e tërmeteve.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit.

“Qeveria e Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme.

“Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Turqia dhe Siria janë goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 të Rihterit, ku për pasojë deri më tani kanë humbur jetën 2,500 persona dhe mijëra të tjerë janë lënduar.

Turqia para pak çasteve është goditur edhe nga dy tërmete tjera që ishin me fuqi më të vogël shkatërruese, pra i treti 5.0 magnitudë, kurse i katërti 5.1.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet.

Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.