Qeveria miraton nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare, 250 milionë euro kufiri i huas

Qeveria në detyrë ka miratuar nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi me institucionet ndërkombëtare financiare.

Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se edhe sot mbledhja ishte korresponduese dhe u morën disa vendime, ndër to edhe nisma për negocimin me institucionet finaciare, si Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe anëtarët e tjerë të Bankës Botërore; Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; Fondi Monetar Ndërkombëtar; Banka Islamike për Zhvillim; Agjensionet zyrtare për përkrahjen (financimin) e eksportimit; Institucionet zyrtare financiare bilaterale të vendeve të jashtme ose të Bashkimit Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve.

“Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas këtij vendimi për marrëveshjet financiare të huas është dyqind e pesëdhjetë milionë (250,000,000.00 €) ose ekuivalent, me afat të maturimit deri në pesëmbëdhjetë (15) vite dhe me normë të interesi jo më të lartë se tre (3 %) për qind”, thuhet në komunikatën e Qeverisë në detyrë.

Po ashtu, u mor vendim i ri për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Vendimi synon të racionalizojë shpenzimet e parasë publike për përdorimin e telefonave në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim shfuqizohet Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 22.01.2008, si dhe pezullohen nenet ( 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 ) të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës. Vendimi përcakton zyrtarët përfitues të telefonisë mobile dhe shumat e aprovuara që do të mbulohen nga buxheti. Gjithashtu vendimi përcakton edhe të drejtën dhe shumën e lejuar të harxhimeve edhe në telefonin fikse në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.