Qeveria Kurti ua pamundësoi të burgosurve kontaktin me familjarët, mbeten pa kartela telefonike që dy muaj

Të burgosurit dhe paraburgosurit që vuajnë dënime në burgjet e Kosovës po e kanë të pamundur të komunikojnë më familjarët e tyre. Qeveria Kurti i ka lënë ata që gati dy muaj pa kartela telefonike, pasi që nuk i kishin porositur me kohë.

Gati dy muaj të burgosurit në Kosovë nuk kanë kartela të kabinave telefonike për të komunikuar me familjarët e tyre, shkruan Demokracia.com.

E pse ata nuk kanë kontakte me familjarët e tyre nuk i është bërë fare vonë Ministrisë së Drejtësisë, që është është hallka kyçe e sistemit të drejtësisë.

Në një përgjigje për Demokracia.com, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se tek tani kanë përfunduar procedurat e tenderimit për furnizim me kartela të kabinave telefonike.

“Kanë përfunduar procedurat e tenderimit për furnizim me kartela të kabinave telefonike”, thuhet në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.

Ndër të tjera, në përgjigjen e ShKK-së thuhet që së shpejti, PTK do të fillojë me furnizimin e institucioneve korrektuese.

“Shumë shpejt PTK do të fillojë furnizimin e institucioneve korrektuese me këto kartela”, thuhet në përgjigjen e ShKK-së.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka pyetur edhe Telekomin e Kosovës dhe ata kanë deklaruar se Shërbimi Korrektues i Kosovës është furnizuar me kartela të kabinave telefonike në muajin mars 2022.

“Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimi Korrektues i Kosovës, është furnizuar në muajin mars 2022, si dhe jemi në procedurë për furnizimin tjetër gjatë këtij muaji. Procedura e furnizimit realizohet me kërkesë të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, kanë deklaruar për Demokracia.com, përkundër që të burgosurit që rreth 7 javë po e kanë problem komunikimin me familjarët për shkak të mungesës së tyre.

Në Burgun e Sigurisë së Lartë, Demokracia.com ka mësuar se tashmë të burgosurit janë kah përgatiten edhe për protesta kreative për shkak që po bëhen gati dy muaj pa kartela të kabinave telefonike nëpër burgje.