Qeveria Kurti ia numëron ngjarjet vetes, harron marrëveshjen për targa, Borrellin, gjobat

Qeveria e Kosovës ka publikuar “rezultatet e arritura”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook ka përmendur projektligjin për zyrtarët publikë, subvencionimet e atyre që kursejnë energjinë si dhe ndarjen e bursave.

🔵U miratuan në Qeveri projektligji për Zyrtarë Publikë dhe ai për Paga në Sektorin Publik, dhe u proceduan për në Kuvend të Kosovës. Projektligji për Paga parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

🔵Filloi subvencionimi i dyfishtë për ata që kursejnë energjinë elektrike. Për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike.

🔵Dy milionë euro për dy mijë bursa për studentë në fushat e STEM. Dyfishim në shumë të buxhetit. Dyfishim në numër të përfituesve. Edhe këtë vit po vazhdon mbështetja financiare për vajzat dhe gratë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës të arsimin e lartë.

🔵U ndan 43 bursa për studentë të doktoratës që studiojnë në top 500 universitetet botërore. Studentët e përzgjedhur do të përfitojnë bursa në shumë prej 8,500 euro.

🔵Për nder të 28 Nëntorit, në 110-vjetorin e Ditës së Flamurit, për herë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë mbajtën mbledhje të përbashkët.

Megjithatë, Qeveria nuk e ka përmendur që mërkurën e 23 nëntorit, në Bruksel, u arrit marrëveshja për targat që shmangu tensionet në veri të Kosovës.

Kjo ishte pa asnjë mëdyshje ngjarja më e rëndësishme me Qeverinë Kurti II, pasi ishte nënshkruar nga Zv. Kryeministri Besnik Bislimi, e arsyetuar më pas edhe nga kryeministri Albin Kurti. Ajo nuk u përmend madje as sipërfaqësisht në top-listën e Qeverisë.

Por, ka edhe të tjera ngjarje shumë më të rëndësishme se ato që u futën në top-listë.

Një prej tyre është edhe shtyrja e fazës së gjobave, që duhej të niste më 21 nëntor. Fillimisht, ajo u shty prej datës 21 e deri më 22 nëntor. Më pas, ndodhi edhe një shtyrje tjetër për tetë orë fillimisht. Dhe krejt në fund, shtyrja përfundimtare prej 48 orëve me kërkesë të ambasadorit amerikane.

Fatkeqësisht, nuk janë përfshirë as këto shtyrje.

E rëndësishme si ngjarje del të ketë qenë edhe komunikimi i kryeministrit Albin Kurti me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

“Ambasadori amerikan “kishte më shumë informacione se unë” mbi situatën në veri,” – i kishte thënë kryeministri Kurti gazetarit Michael Martens.

Por, as kjo nuk është përfshirë përkundër që intervista e Kurtit është bërë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ndërkohë, si ngjarje nuk është përfshirë as “rikthimi në agjendë i planit franko-gjerman” sipas Kurtit. Pas refuzimit të parë që i bëri propozimin, gjë që çoi në qortime të ashpra nga kryediplomati evropian Josep Borrell, Kurti kishte përmendur heqjen dorë nga plani franko-gjerman. Kjo ishte përgënjeshtruar nga Bashkimi Evropian, e do të përgënjeshtrohej edhe nga vetë Kurti në intervistën në fjalë. Por, as kjo s’është përfshirë si ngjarje nga Qeveria Kurti.

Duhet të kujtojmë se kryeministri Albin Kurti e kishte vlerësuar si prioritet të gjashtë ose shtatë në listën e tij të prioriteteve çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë.