Qeveria e Kosovës ka emëruar Imer Rusinovcin, anëtarin e PDK-së dhe profesorin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, në Këshillin Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Në mbledhjen e 33-të, e cila u mbajt sot, qeveria vendosi që Rusinovci ta zëvendësojë Arben Mehmetin në këtë këshill.
“Me vendimin e parë të miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, është ndryshuar dhe plotësuar vendimi i Qeverisë për emërimin e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë”, ka njoftuar sot Qeveria e Kosovës, në një komunikatë për media.
Qeveria ka bërë të ditur se Imer Rusinovci është vendosur që të emërohet anëtar i Këshillit Shkencor të AUV-it me propozimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës.
Rusinovci është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilën është anëtarësuar më 29 shtator të vitit të kaluar. Rusinovci më herët ka qenë anëtar i AAK-së. Ai ka qenë edhe asambleist i AAK-së në Komunën e Prishtinës.

Para se të jetë pjesë e PDK-së, ai ishte kandidat për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e partisë së Ramush Haradinajt.







