Qeveria kundër vettingut, opozita e OJQ-të thonë se po lejohet ndikimi në Drejtësi

Qeveria e Kosovës duket se ka hequr dorë nga procesi i verifikimit të sigurisë, apo vetingut.

Ky proces nuk është paraparë as në programin legjislativ të qeverisë për vitin 2019, raporton KTV.

Zyra e Kryeministrit vlerëson Kosova ka nevojë për rezultate konkrete nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial dhe jo për vetting.

“Konsiderojmë se nuk kemi kohë për të humbur, por na duhet që menjëherë të vendosim sundimin e ligjit sipas Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. Çdo justifikim vetëm prolongon vendosjen e drejtësisë dhe pavarësinë e gjyqësorit. Qeveria ka rritur buxhetin për drejtësi, ka dyfishuar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ka mbajtur takimet e nivelit të lartë për sundim të ligjit, andaj tash, këto institucione duhet ta rrisin llogaridhënien ndaj publikut me rezultate konkrete”, thuhet në përgjigjen nga Kryeministria.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se nuk është ithtar që të ndodhë ky proces, pasi që, sipas tij, duhet të ketë në vazhdimësi verifikim të sigurisë përmes disa organeve që do të krijohen.

Por, për këtë, thotë se do të vendoset në fund të shtatorit.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e sheh si të domosdoshëm procesin e verifikimit të sigurisë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se pa verifikim të sigurisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk mund të priten rezultate të mëdha.

Në programin 100-faqësh të qeverisë Haradinaj, ishte premtuar themelimi i Byrosë Nacionale të Hetimeve, duke u premtuar që të realizohet edhe procesi i vetingut.

Por, pasi gati dy vjetësh qeverisje, të njëjtit kanë dalë kundër programit të vet.