Qeveria jotransparente lidhur me dokumentin franko-gjerman

Mosdhënie e detajeve nga Qeveria e Kosovës për dokumentin franko- gjerman, nga njohës të rrethanave politike po shihet si mungesë e transparencës. Megjithatë ata janë të mendimit që sekretet shtetërore nuk mund të publikohen. Edhe KMDLNJ, ka kërkuar nga Qeveria që të japë më shumë informata.

Një dokument franko-gjerman, i cili e parasheh të ardhmen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, javët e fundit është tema kryesore skenën politike në Kosovë. Por, rreth këtij dokumenti mungojnë informacionet e plota.

Analisti politik, Artan Muhaxheri, ndonëse ka fajësuar Qeverinë për mungesë transparence, ai sërish ka thënë se Qeveria nuk mund t’i bëjë publike sekretet shtetërore.

“Është e kuptueshme që Qeveria nuk mund t’i bëjë të njohura sekretet shtetërore, por mund të japë indikacione se nga po shkon procesi i dialogut nga i cili do të varët edhe jeta e qytetarëve të Kosovës në të ardhmen”, tha Muhaxheri.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se nga pak detaje që janë bërë të ditura, ky dokument do ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.

“Ende nuk kemi asgjë zyrtare por vetëm nga ato se çfarë kanë publikuar mediet. Pra, nëse i analizojmë ato pika aty ka përparësi për Kosovën, vetëm se varët se si ne do t’u qasemi”, tha Arifi.

Që Qeveria nuk ka dhënë detaj nga ky dokument ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirit e Njeriut. Në një komunikate për medie të KMLDNJ-së thuhet se Qeveria e Kosovës duhet t’i drejtohet opinionit me informata të sakta, duke mos e mjegulluar edhe më shumë këtë gjendje dhe se për çështje madhore për vendin nuk mund të merren vendime pa opozitën dhe pa qytetarët. /Rtk