Qeveria ia numëron top-5 ngjarjet vetes: U sekuestruan më shumë vila se në 20 vitet e fundit

Qeveria Kurti ka vazhduar praktikën e saj të numërimit të “Top 5 ngjarjeve të javës me Qeverinë Kurti”. Por, këto ngjarje megjithatë zbulojnë ‘varfërinë’ e punës së saj.

Megjithëse ka në dorë gjithë pushtetin ekzekutiv dhe shumicën e pushtetit legjislativ, Vetëvendosje duket se nuk ka pasur shumë gjëra për t’u krenuar gjatë kësaj jave.

Top-ngjarja e javës është listuar fjala e nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevcit, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Fjala në KiE

Nuk dihet saktësisht se si ka kontribuar Qeveria Kurti në këtë sukses, dhe nuk është se kanë treguar për një gjë të tillë.

Deputetja Bogujevci në anën tjetër është treguar mbi-partiake për mundësinë e fjalës në Këshill të Evropës:

““Për herë të parë na është dhënë e drejta e fjalës në seancë plenare, si përfaqësuese të Kosovës, unë ndihem e nderuar dhe falënderojë kolegët për përkrahjen e të gjithëve që pata mundësinë t`i adresohen Asamblesë Parlamentare të KE në emër të Kosovës”, tha ajo.

Derisa po mbante fjalën, deputeti i AAK-së Besnik Tahiri po e xhironte me telefonin e tij ndërsa deputeti i LDK-së Arben Gashi po bënte fotografi.

Momente të tilla të rralla mbi-partiake në Kosovë janë të rralla, por si duket nuk është moment mbi-partiak për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë Kurti II.

Sekuestrimet në Brezovicë

Ngjarja e dytë më e rëndësishme është vlerësuar të jetë sekuestrimi i vilave në rastin e njohur si “Brezovica”.

“Brenda javës u sekuestruan më shumë vila se që ishin ndërtuar jashtëligjshëm në 20 vitet e fundit së bashku”, thotë Qeveria me gabime drejtshkrimore.

Ky rast nuk besohet të jetë i lidhur asgjë me Qeverinë Kurti, dhe ka kohë që ka nisur e si duket do të marrë kohë derisa të përfundojë.

Vetëvendosje ka pasur vazhdimisht një raport interesant me Prokurorinë e vendit, duke e akuzuar vazhdimisht për dështimet por duke provuar po vazhdimisht që të merrte meritat për sukseset.

Më poshtë keni edhe një profil të prokurorit të rastit “Brezovica”, z. Rasim Maloku të përgatitur nga gazeta Nacionale.

Observatori në Shtime

Më tej, përmendet projekti i Observatorit dhe Planetariumit – përmes një marrëveshjeje bashkëfinancimi me vlerë prej 310 mijë eurove.

Ky Observator dhe Planetarium do të ndërtohet në Shtime, por sipas kryetarit Qemajl Aliu nga Vetëvendosje do të jetë në shërbim të gjithë komunitetit në Kosovë.

Nëse një projekt i tillë realizohet, atëherë ky do të ishte përnjëmend lajm i mirë.

Dy gurthemele, një inaugurim

Nuk ka dyshim se çdo fshat dhe çdo vendbanim i Kosovës është i rëndësishëm. Por, të jetë aq i rëndësishëm sa të përfshihet në top-5 të Qeverisë së Kosovës?

Kjo është mjaft problematike.

Madje, Qeveria ka bërë bashkë tri ngjarje për t’i përfshirë në një ngjarje të vetme që zë numrin katër.

Raporti i Progresit

Dhe, Raporti i Progresit. Duke injoruar krejtësisht kritikat që jepen, Qeveria Kurti ka fjalë mjaft të çuditshme për një qeveri sa i përket këtij raporti.

“Më i mirë se ai i vitit të kaluar, e më i miri ndonjëherë, raporti i sivjetshëm për Kosovën ishte ndër më të mirët në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Qeveria e Kosovës.

Praktikën e top-ngjarjeve Qeveria Kurti e ka nisur para më shumë se një muaji.

Është e çuditshme se si Qeveria Kurti nuk ka përmendur si ngjarje të javës edhe mbajtjen e mbledhjes jubilare të 100-të që ndodhi pikërisht gjatë kësaj jave./Nacionale