Qeveria Hoti nisë strategjinë e re: Synon rritjen e numrit të testimeve për koronavirus

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Holti gjatë një takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës, ka bërë të ditur se Qeveria do të nisë zbatimin e një strategjie afatmesme për të përgatitur sistemin shëndetësor në rast të një vale të dytë të pandemisë Covid-19.

Siç njofton kryeministri Hoti, është e nevojshme që të ndërmerret një hap i tillë meqë masat e izolimit dhe distancimit fizik nuk mund të vazhdojnë të mbesin armët e vetme në luftën kundër këtij infeksioni.

“Për t’u rikthyer gradualisht në jetën tonë të zakonshme, duhet të krijohet një infrastrukturë mobile monitorimi dhe reagimi ndaj COVID-19 dhe ndoshta në të ardhmen, edhe ndaj epidemive të tjera”, është cituar të ketë thënë Hoti.

Sipas kreut të Qeverisë, kjo infrastrukturë përveç tjerash do të përfshijë kapacitetet për të kryer numër më të madh testesh, si virologjike ashtu edhe serologjike, në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike si dhe krijimin e një strukture qendrore të mbikëqyrjes për analizën e të dhënave në kohë reale.

Në një komunikatë për media, përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës janë cituar t’iu kenë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe t’i respektojnë masat e nevojshme për ruajtjen e shëndetit, në veçanti duke i mbajtur maskat dhe duke e respektuar distancën fizike.