Qeveria Hoti ndan 25 mijë euro për familjen e Agon Musliut

Qendra e Studentëve nga Qeveria Kurti u vendos të shndërrohet si karantinë gjatë pandemisë për kosovarët që kthehen nga shtetet e botës, por keqpërdorime dhe thyerje të rregullave ndodhën në atë karantinë, madje ngjarja më e rëndë ndodhi kur 26 vjeçar nga Gjilani, Agon Musliu bëri vetëvrasje.

Ndonëse ky rast tragjik nga Qeveria Kurti u mundua të minimizohet dhe të injorohet duke u marrë me probleme tjera, një muaj pasi Agon Musliu bëri vetëvrasje, Qeveria e re Hoti ka vendosur t’i ndan 25 mijë euro për familjen e të ndjerit.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka propozuar sot në mbledhjen e Qeverisë që të ndahen 25 mijë euro për familjen e Musliut.

“Lidhur me rastin tragjik në Qendrën e Studentëve MF-ja propozon ndarjen prej 25 mijë euro për të përkrah familjen e Agon Musliut”.

Kujtojmë se Agon Musliu, 26 vjeç, i cili ishte kthyer nga Gjermania, e kishte të pamundur t’i shpëtonte karantinimit, ani pse këtë ia kishin rekomanduar edhe mjekët në Gjermani. Babai i Agon Musliut ka prezantuar dokumente të cilat dëshmonin se gjendja shëndetësore e të birit të tij tashmë të ndjerë nuk ishte e mirë. I njëjti ka treguar tregon se i biri kishte treguar shqetësim, mërzi e nervozë gjatë qëndrimit të tij në karantinë në Qendrën e Studentëve. Madje Musliu kishte kërkuar psikolog në karantinë në ditën kur edhe ka kryer vetëvrasje

E pas vdekjes, Musliu ishte testuar për koronavirus dhe kishte rezultuar negativ.

Opozita ka fajësuar qeverisë Kurti për keqmenaxhim të karantinës dhe e ka bërë fajtore qeverinë për vdekjen e 26-vjeçarit nga Gjilani. Po ashtu është formuar një Komision për Hetim Parlamentar në lidhje me këtë ngjarje tragjike.