Manastiri i Deçanit

Qeveria hesht për 24 hektarë tokë rreth Manastirit të Deçanit

Ende nuk është e qartë nëse Komuna e Deçanit do ta dëgjojë thirrjen e Qeverisë, e cila po kërkon që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke e njohur Manastirin e Deçanit si pronar të ri të 24 hektarëve tokë rreth tij.

Një javë pas kësaj kërkese, RTV Dukagjini prapë ka dërguar pyetje në adresën e Zyrës së Kryeministrit, por kanë heshtur, sikurse gjatë gjithë javës së shkuar.

Në anën tjetër as nga Komuna e Deçanit, përkundër zotimeve në fundjavë, nuk i janë përgjigjur ende kërkesës së ekzekutivit.

Për këtë çështje, shefja e partisë në pushtet thotë se nuk ka informacione, por jep qëndrimin e saj.

“Në të njëjtin proces përveç vendimit të Gjykatës Kushtetuese është edhe një proces tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë në të cilin është kontestuar procesi i përkthimit të pronës nga ish-pronari tek Manastiri i Deçanit. Prandaj duhet të verifikohet”, thotë Mimoza Kusari-Lila, Shefe e GPS-së së VV-së.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, partisë që udhëheqë me Deçanin, thotë se Agjencia Kadastrale është adresa për këtë problem.

“Pyetja ime për Vetëvendosjen dhe Mimomzën është, a është ka konkuron Kosova me u bo anëtarë e Këshillit të Evrops, apo Deçani, tash Deçanit doni me ja lënë fajin”, tha Besnik Tahiri, Shef i GP-së së AAK-së.

Edhe shefat e Grupeve Parlajmetar të LDK-së dhe PDK-së gjatë ditës janë deklaruar se Qeveria po tenton që përgjegjësitë e saj t’ia lë nivelit lokal.

Ashtu sikurse në të kaluarën edhe tash, historianët bëjnë thirrje që aktgjykimi i Kushtetueses të mos zbatohet, duke argumentuar se ky vendim krijon precedent të rrezikshëm, ngjashëm me Malin e Zi në raport me Kishën Ortodokse Serbe.

“Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës pronat e dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, t’i shpallë pasur kombëtare të Kosovës dhe si të tilla të hyjnë në kuadër të Fondit Sovran të Kosovës”, thotë Shkodran Imeraj, Historian.

Imeraj kërkon që të miratohet një ligj special me të cilin do të shpalleshin të pavlefshme të gjitha ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore që janë miratuar gjatë pushtetit të Millosheviqit.

VIDEO BONUS: Vazhdon zjarri i madh në Fabrikën e Plastikës në Drenas