Përkundër që kishin deklaruar se dje apo sot do të dalin me vendim nëse ka kapacitet buxhetor, që t’i japë shtesat e punëtorëve teknikë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për Ballkani.info, se janë në pritje të vendimit.

Azemi është shprehur se në takimin e djeshëm ata nuk i kanë dhënë afat Qeverisë, por ajo i ka dhënë afat vetes që deri sot në mesditë do të dalin me vendim për kërkesat e tyre.

Hapat e mëtutjeshme, sipas Azemit, nuk kanë tjetër përpos bojkotimit të punës.

“Ne dje nuk i kemi dhënë afat Qeverisë, por Qeveria i ka dhënë afat vetes që deri sot në ora 14:00 do të dalin me vendim. Hapat e mëtutjeshme nuk kemi tjetër përpos ta bojkotojmë punën siç jemi duke e bërë, do ta bojkotojmë deri kur të përmbushen kërkesat tona. Kërkesat tona janë reale dhe konsiderojmë se punëtorët duhet të stimulohen, duhet t’i marrin shtesat para vitit të ri. Qeveria nuk e kundërshton në asnjë rast pagesën për punëtorët teknikë, por sipas tyre, ata vetëm duhet të gjejnë module sesi do të paguhen”, ka thënë Azemi.

Punëtorët teknikë në spitalet dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare, që janë rreth dy mijë me numër që nga dje janë në grevë, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre./Ballkani.info/