Në Bordin e ri të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, i emëruar të mërkurën nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, është edhe Samije Thaçi.

Thaçi rezulton, siç ka siguruar listën Albanian Post, të jetë financuese e partisë që ka pushtetin, Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo, më 10 shkurt të vitit 2021, katër ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, kishte dhuruar mjete financiare për LVV-në.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes, kryeministri Albin Kurti, njoftoi se të emëruarit e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” janë: Petrit Nahi – kryesues, Rrezarta Pllana – anëtare, Sajmie Thaçi – anëtare dhe Lindita Toçi- anëtare.

Ky është një nga punësimet e radhës që pushteti ia bën personave të afërt me të.

Haki Huruglica ka qenë asistent administrativ i Gërvallës, ndërsa i njëjti më 15 korrik, është zgjedhur Zyrtar i Lartë për Koordinim të Politikave, në Departamentin e Integrimit Evropian dhe Koordinim të Politikave.

Sipas vendimit për pranimin e Huruglicës, që është marrë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, ish-asistenti i Gërvallës ka marrë 58.4 pikë në testin me shkrim, ndërsa 23.6 në intervistën me gojë dhe 82 në total.

Verona Menxhiqi më 6 prill 2021, ishte emëruar asistente ekzekutive e Ministrit Peci nga vetë Peci.

Ndërsa, më 16 korrik 2024, tri vjet më vonë, ajo është emëruar Zyrtare e Lartë Ligjore Departamentin Ligjor të Ministrisë që drejtohet nga Peci.

Sipas vendimit të përzgjedhjes së Menxhiqit, ajo ka marrë 64 pikë në testin me shkrim, 26.6 në intervistën me gojë, ndërsa totali është 90.6.