Qeveria e zhagit qëndrimin për deklaratat e Fitore Pacollit për kontroll ndaj mediave

Qeveria e Kosovës ende po qëndron nën hijen e deklaratës së deputetes së mazhorancës, Fitore Pacolli, e cila kërkoi që pushteti me njëfarë forme ta zgjas dorën në pavarësinë mediale.

Ndonëse për disa media të afërta me pushtetin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e konfirmoi se ekzekutivi do të dalë me qëndrim, pushteti po qëndron i heshtur.

Përgjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka gjetur kohë të flas për rritjen e pretenduar ekonomike, raportet “vëllazërore” të Turqisë me Kosovën, të ndërtojë frazeologji mbi vetëdijësimin e pretenduar kolektiv, mirëpo jo të flasë edhe për deklaratën e bashkëpartiakes Pacolli.

Distancim për këtë çështje nuk pati as nga shefja e vendit, e cila kryesisht foli për liberalizim vizash, çështje kjo që u trajtua sot edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, përgjatë vizitës së tij në Austri.

Shqetësim gjuha e Pacollit duket se i shkaktoi vetëm deputetes së Listës Guxo, Doarsa Kica-Xhelili, e cila u distancua nga deklarata e saj.

“Në kuptim të interpretimin që deputetja ka mendu diciplinimin e mediave, unë distancohem automatikisht, nëse interpretohet ashtu”, ka deklaruar ajo mbrëmë.

Pacolli dje në Kuvend përmendi masa për “rregullimin qeveritar të mediave, posaçërisht atyre online”.

“Viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndikimit në disa medium kryesore dhe ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesi dhe shantazh politik. Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e medias, me transparencën si dhe me identifikimin e pronësisë së mediave”, deklaroi ajo në seancë.

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor “Safe Journalists” tha nëpërmjet një reagimi me shkrim se thirrja për ndërhyrje të drejtëpërdrejtë nga qeveria e Kosovës në rregullimin e medias “është e papranueshme dhe përceptohet si rrezikim i lirisë së shprehjes dhe demokracisë”.

“Dënojmë gjuhën e tillë dhe bëjmë thirrje ndaj të gjithë zyrtarëve dhe politikanëve të përmbahen nga fjalimet e tilla që paraqesin rrezik për demokracinë. Dënojmë çdo nismë nga qeveria që synon të marrë kontrollin mbi mediat, meqë tentime të tilla janë të papranueshme në vendet demokratike”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, thanë në një reagim të përbashkët se thirrja e hapur e deputetes Pacolli, paraqet rrezik për lirinë e medias në vend.

“Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, kurse një pjesë tjetër si organizata joqeveritare, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillitë të Mediave të Shkruara të Kosovës”, thuhet në këtë reagim duke nënvizuar se “ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”. /Lajmi.net/