Qeveria e Shqipërisë miraton dy vendime të ‘Open Balkan’

Katër ditë përpara se të mbahet takimi i radhës i ‘Open Balkan’, qeveria ka miratuar dy vendime që lidhen me nismën rajonale mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave është miratuar vendimi për identifikimin elektronik të shtetasve të Ballkanit Perëndimor dhe vendimi për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

Vendimi për akses të lirë në tregun e punës, është tashmë në fuqi mes Kosovës dhe Shqipërisë pas marrëveshjes së nënshkruar gjatë mbledhjes së fundit mes dy qeverive, ndërsa me vendimin e fundit, përfshihet edhe RMV dhe Serbia.

Takimi i radhës i nismës ‘Open Balkan’ do të mbahet më 21 dhjetor në Tiranë. Në takimin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, tashmë i njohur si Open Balkan, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Deri tani, tre liderët Rama, Zaev dhe Vuçiç nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Kosova refuzon të jetë pjesë e kësaj iniciative dhe e ka quajtur të rrezikshme.