kumtesë

Qeveria e Serbisë: Ushtria e Kosovës është kërcënimi më i madh i paqes në rajon

Pas miratimit të pakos së ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, ka reaguar me një kumtesë për opinion ka reaguar Qeveria e Serbisë.

Kumtesa thotë se Qeveria e Serbisë sot e ka dënuar në mënyrë më të rreptë vendimin e Kosovës për shndërrimin e FSK-së në Ushtri.

Në vazhdim, me demagogjinë e zakonshme të kësaj qeverie, kumtesa thotë se Serbia fuqimisht është e përcaktuar për paqe.

“Qeveria e Serbisë bashkë me presidentin në vazhdimësi kanë përcjell situatën në krahinën tonë jugore dhe të gjitha vendimet e veta të mëtejme do t’i marrë në konsultim me kryetarin e republikës”, thuhet në kumtesë.

Ky vendim, shtohet në të, shkakton shqetësim të madh dhe është shkelje flagrante e parimeve të të drejtës ndërkombëtare dhe para së gjithash rezolutës 1244 e OKB-së. Gjithashtu vendimi është në kundërshtim me të ashtuquajturën kushtetutë që e kanë miratuar vetë organet e përkohshme të vetadministrimit të Kosovës dhe ky është absurd i llojit të vet se Kosova pos marrëveshjeve ndërkombëtare nuk i respekton as normat e veta.

Qeveria e Serbisë do të vazhdojë t’ju dëshmojë të gjithë aktorëve ndërkombëtar në injorimin e tërësishëm të parimeve të së drejtës ndërkombëtare nga Kosova që ka qenë e qartë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 që kur Kosova nuk ka bërë absolutisht asgjë në implementimin e saj.

Injorimi i parimeve të të drejtës ndërkombëtare vërehet edhe në ndërhyrjet e shumta me armë të gjata dhe keqtrajtimin e serbëve që ka përshkallëzuar në fillim të nëntorit me nxjerrjen e vendimit për vendosjen e taksës fillimisht dhjetë për qind e më pas 100 për qind në prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës, me çfarë është shkelur marrëveshja e CEFTA-s dhe MSA-s.

Shndërrimi i FSK-së në Ushtri është treguesi drastik më i ri se sa hapat e njëanshëm të Kosovës janë në kundërshtim me vlerat themeltare të shoqërive demokratike, vlerëson qeveria serbe.

Po ashtu, ky akt është kërcënimi më i madh i Kosovës për paqen në rajon.