Qeveria e Malit të Zi: S’jemi armiq të Rusisë, por sanksionet mbeten sepse duam të hyjmë në BE

Qeveria e re malazeze nuk do t’i heqë sanksionet ndaj Rusisë, sepse ajo dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian, tha ministri i Jashtëm Gjorgje Raduloviq.

Raduloviq tha se për “Vijesti” të Podgoricës se beson që sanksionet kundër Rusisë dëmtojnë ndjenjat e një numri të caktuar të njerëzve me të cilët Rusia është e afërt, në vend të vetë Rusisë.

Ai u shpreh se i kupton plotësisht këta njerëz, por tha se ata duhet ta dinë se duke vendosur sanksione, Mali i Zi, siç tha ai, nuk po i shpall luftë Rusisë.

“Ne nuk jemi armiq të Rusisë dhe unë e informova ambasadorin rus në bisedë se sanksionet mbeten në fuqi, por që ne do të kërkojmë bashkëpunim në të gjitha fushat që nuk shkelin përparësitë tona strategjike evropiane”, tha Raduloviq.