Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve nga Serbia se qytetarëve serbë në Kosovë u është ndaluar e drejta e informimit përmes ndaljes së shpërndarjes së mediumeve.
Sipas qeverisë, taksa 100 për qind për produktet e importuara serbe, nuk prek shpërndarjen e mediumeve.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre iu garanton qasje në informacion, pa asnjë diskriminim! Kësisoj, si Qeveri e vendit demantojmë propagandat e autoriteteve serbe, nga të cilat janë ndikuar edhe disa organizata ndërkombëtare. Po e sqarojmë edhe njëherë se taksa 100 për qind, e drejtë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e saj, në asnjë formë nuk prek shpërndarjen e mediumeve dhe të drejtën e informimit për asnjë pjesëtarë të asnjë komuniteti”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Sipas Qeverisë, e drejta për media garantohet me Kushtetutë, por edhe me ligje të posaçme.
“Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë t’i krijojnë dhe përdorin mediat e tyre. Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë numër të rezervuar të frekuencave për mediat elektronike, me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Ligjet në Kosovë, ua kanë mundësuar pjesëtarëve të komuniteteve që edhe të jenë pjesë drejtuese e shumë institucioneve që lidhen me mediat. Krahas prezencës së një numri të madh të mediumeve serbe në vend, nga qershori i vitit 2013 në Kosovë ka filluar transmetimet kanali i dytë i Radio Televizionit të Kosovës në të cilin 85 % e programit është në gjuhën serbe, 15 % në gjuhët e minoriteteve të tjera. E drejta për media garantohet përpos me Kushtetutë, po ashtu edhe me ligje të posaçme: Ligji 03/L – 047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, i cili përmban dispozitat e caktuar për garantimin e lirisë së mediave për pjesëtarët e komuniteteve minoritare”, ka thënë Qeveria.
Në fund të deklaratës, Qeveria ka thënë se presionet nga autoritetet e Serbisë dhe gënjeshtrat nuk i shërbejnë të drejtës dhe as procesit të integrimit. “Ne do të bëjmë çdo gjë që të ruajmë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore për të gjithë qytetarët e Republikës, e në veçanti për komunitetin serb në Kosovë”, thuhet në fund.







