Qeveria e Kosovës e pa informuar, ndërsa vaksinimi i serbëve në veri është duke vazhduar

Përkundër që institucionet kosovare s’janë informuar për vaksinimin në veri, ai po vazhdon edhe sot në disa komuna me shumicë serbe.

Në Zveçan, përkundër motit të keq, qytetarët mbi 65 vjeç u mblodhën edhe sot në Qendrën Shëndetësore të kësaj komune për ta marrë vaksinën që ua solli Qeveria e Serbisë.

Mirënjohje ndaj shtetit të Serbisë dhe presidentit të tij, Aleksandar Vuçiq u shpreh nga drejtori i Qendrës Shëndetësore në Zveçan, Ivan Vasiq, i cili e cilësoi vaksinimin si një gjë të shkëlqyeshme për të gjithë ata që jetojnë në këtë komunë.

“Vaksinimi kryesisht do të mbulojë njerëzit e moshuar me sëmundje shoqëruese të cilët janë gjithashtu grupi më i rrezikuar nga virusi COVID-19. Fillimi i vaksinimit është një dritë metaforike në fund të tunelit, sepse së bashku me respektimin e masave të përcaktuara dhe vaksinimin, ne shpresojmë që më në fund të jemi në gjendje të për ta kontrolluar këtë murtajë që ka okupuar të gjithë botën në dhjetë muajt e fundit”, tha Vasiq.

Pas qyteteve më të mëdha në Serbi, doza të vaksinës Pfizer mbërritën të premten në veri të Kosovës, ku filloi vaksinimi i qytetarëve më të vjetër se 65 vjeç.

Përveç Zveçanit, vaksinat kundër virusit COVID-19 janë planifikuar të merren sot edhe nga banorët e moshuar të Zubin Potokut.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës ka reaguar sot lidhur me këto zhvillime, duke u shprehur se ata dhe as Policia kufitare nuk kanë informacione për këtë, ndërsa kanë thënë se do të marrin masa ndaj atyre që i futën vaksinat në Kosovë.