Grabitja

Qeveria e Kosovës dënon ashpër vrasjen e policit në Istog: Akt qyqar

Pasditen e së enjtes në Istog dy persona të armatosur ishin nisur për një nga bankat në qendër të komunës, ku dyshohet se do të kryenin një grabitje. Aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me armë zjarri, i vrarë mbeti një nga të dyshuarit (Kamer Metaj), e pas tij në spital të Pejës ndërroi jetë edhe polici Izet Demaj.

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër vrasjen e policit, të cilën e ka cilësuar akt qyqar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog, Izet Demaj dhe fton organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanat që kanë shtyrë deri në këtë akt qyqar”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

“Qeveria e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre. Vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe vecmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish ushtarit të UCK-së, Izet Demaj”, thekson reagimi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zotimin e saj se do të angazhohet me të gjitha mekanizmat për të krijuar ambient të sigurtë në Kosovë dhe se do të bëjë të pamundurën për luftimin e krimit dhe të dukurive negative në vend, duke kërkuar gjithashtu nga organet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë që ngjarje të tilla të mos ndodhin dhe siguria e qytetarëve të jetë në nivelin e duhur”, thuhet më tej.

“Rastet si ky i sotmi, janë dëshmi se përkushtimi për fuqizimin e rendit dhe ligjit në vend, duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu kjo vrasje nuk do të ndaloj organet e rendit që të kryejnë punët e tyre me përkushtim dhe me përgjegjësi institucionale në shërbim të të gjithëve dhe krijimit të një klime të qetë”, përfundon reagimi i Qeverisë.