Reagimet

Qeveria e Gjermanisë reagon pas ekzekutimeve në Japoni

Pas ekzekutimit të dy keqbërësve në Japoni, e ngarkuara gjermane për të drejtat e njeriut ka shprehur tronditje. Ao i ka bërë thirrje me këmbëngulje kombit të tretë në botë për nga fuqia ekonomike.

Ekzekutimet janë një “mënyrë çnjerëzore dhe mizore ndëshkimi”, deklaroi në Berlin e Ngarkuara e Qeverisë Gjermane për të Drejtat e Njeriut, Bärbel Kofler. Njëkohësisht ajo i bëri thirrje qeverisë së Japonisë që ta pezullojë zbatimin e dënimeve të tjera me vdekje. Veprimtarë të të drejtave të njeriut ka vite që dënojnë ushtrimin e ekzekutimeve dhe kushtet e arrestit në Japoni.

Më shumë se njëqind të dënuar

Në Osaka të Japonisë u ekzekutuan të enjten dy vrasës të dënuar në moshat 60 dhe 67 vjeç, siç bëri të ditur Ministria e Drejtësisë në Tokio pas zbatimit të dënimeve. Të dy meshkujt qenë dënuar me vdekje për vrasje për motive të grabitjes ndaj dy biznesmenëve në vitin 1988. Ata i patën rrëmbyer viktimat e tyre, u patën bërë shantazh për para dhe pastaj i patën mbytur. Më pas, ata i betonuan të dyja kufomat dhe i varrosën në male, u bë e ditur. Japonia, që është ekonomia e tretë në botë për nga fuqia ekonomike bën pjesë në pak vende të industrializuara, që i përmbahet ende dënimit me vdekje. Që prej ardhjes në pushtet të kryeministrit Shinzo Abe në dhjetor 2012, sipas qeverisë gjermane janë ekzekutuar tashmë 36 vetë. Vetëm këtë vit janë zbatuar 15 dënime me vdekje. Veç kësaj, 110 vetë të dënuar me vdekje presin dënimin në burgjet e Japonisë.

Qeveria konservatore e djathtë ekzekutoi së fundi në korrik anëtarë të sektit fundamentalist Aum Shinrikyo. Në atentatin e ushtruar prej tyre para 23 vjetësh në metronë e Tokios e humbën jetën 13 vetë. Si një veprim veçanërisht mizor, edhe qeveri të huaja kritikojnë që të dënuarve në Japoni nuk u njoftohet koha se kur do të ekzekutohen. Shpesh ata jetojnë për vite të tëra në masa sigurimi izoluese. Shoqata japoneze e juristëve ka kërkuar eleminimin e dënimit me vdekje deri në vitin 2020. Në këtë vit, Japonia do të jetë mikpritëse e Lojërave Olimpike në Tokio. 103 shtete të botës e kanë hequr dënimin me vdekje plotësisht. 139 shtete hë për hë nuk e zbatojnë atë. Në mes të dhjetorit 2018, në New York 121 shtete votuan që hë për hë të ndalohet ushtrimi i dënimit me vdekje.