Ditën e djeshme është lajmëruar edhe rritja e çmimit së bukës për 10 cent më shumë. Kjo kishte ngjallur reagime tek disa qytetarë, të cilët kanë shprehur shqetësime për ngritjen e çmimeve të produkteve tjera.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë thirrje gjatë ditës së sotme, që bizneset mos të vazhdojnë me të njëjtin ritëm, pasi që kjo do të shkaktonte paknaqësi të shumta, transmeton Ballkani.info.

Nga organizatat e mbrojtjes së konsumatorit, po thonë që kjo rritje e çmimev mund të jetë si pasojë e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjes.

Ballkani.info ka kontaktuar me Kryetarin e Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i cili ka konfirmuar se kanë kërkuar nga Qeveria që çmimet mos të rriten pas vendosjes së taksës.

“Ngritja e çmimeve vjen si pasojë e taksës së aplikuar nga Qeveria e Kosovës, masë kjo që është vënë pa u konsultuar me konsumatorin. Kur është marrë vendimi për t’iu vendosur taksë produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja, është premtuar që nuk do të ketë ngritje të çmimeve, andaj kërkesat tona ndaj Qeverisë janë të ditura kështu që po presim reagimin e Qeverisë. Ne kërkesën për mos ngritje të çmimeve e kemi dërgu, Qeveria tash duhet të shohim a po e mban premtimin e saj, pasi që kur mirret një vendim, duhet të parashikohen edhe hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Kaçaniku për Ballkani.info.

Kujtojmë se javë më parë, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, mori vendim për vënie të taksës ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ky vendim kishte ngjallur reagime të shumta edhe në institucionet e shtetit serb, të cilët kishin akuzuar Qeverinë në Kosovë për shkelje të marrëveshjes CEFTA. /Ballkani.info/