Qeveria dhe Ambasada Britanike me kandidatë të ndryshëm për drejtor të Akreditimit

Një javë pasi është publikuar lista me emrat e tre kandidatëve për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), procesi për plotësimin e kësaj pozite është pezulluar.

Kjo meqë njëri nga kandidatët për drejtor, i cili nuk është përfshirë në listën e ngushtë, ka drejtuar ankesë në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), shkruan sot Koha Ditore.

MAP-i ka bërë të ditur për gazetën se pas kësaj ankese kjo ka bërë që procesi të pezullohet deri në vendosjen nga Këshilli i pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës (KMPSHCK).

“MAP-i ka pranuar ankesën nga njëri nga kandidatët që nuk ka hyrë në treshen e më të mirëve. Kështu që në bazë të dispozitave të legjislacionit për shërbimin civil pezullohet procesi deri në vendosjen nga ana e organit përfundimtar në procedurë administrative, që do të thotë KPMSHCK-ja”, thuhet në përgjigje.

MAP-i është zotuar se vlerësimi nga partneri zbatues (Ambasada Britanike) ka qenë i përafërt me atë të Komisionit për vlerësimin e kritereve për pozitën drejtor i AKA-së.

Por një gjë të tillë e ka mohuar Ambasada Britanike, sipas së cilës, lista që e ka bërë komisioni dallon shumë nga rekomandimet e tyre.