Qeveria dërgon njoftim veç për takimin e Kurtit me Scholzin, s’e përmend atë me Vuçiqin

Qeveria e Kosovës ka dërguar komunikatë për takimet që kryeministri i vendit, Albin Kurti do të zhvillojë sot në Berlin të Gjermanisë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, në komunikatën e Qeverisë, nuk është përmendur fare fakti që Kurti do të takohet me Vuçiqin, por është njoftuar vetëm për takimin me Scholzin.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Berlin, Gjermani, ku do të ketë takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Shcolz”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Se Kurti do të takohet me Vuçiqin, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe me inicim të kancelarit Scholz, e ka konfirmuar dje edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“Në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE, kancelari Scholz ka ftuar Miroslav Lajçakun i cili do të pres një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në mbrëmje në Berlin”, ka shkruar Rohde.