Zëvendëskryeministri Selmanaj ka folur për shuarjen e departamentit antikorrupsion e ndryshimin e kushtetutës.
Vendimi për themelimin e Departamentit Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës në vitin 2010 ka qenë antikushtetues.
E për këto vite kjo task forcë nuk ka kontribuar në luftimin e korrupsionit.
Kështu ka vlerësuar Qeveria Hoti me rastin e shfuqizimit të këtij vendimi.
Zëvendëskryeministri i parë në ekzekutiv, Driton Selmanaj në një intervistë për T7 ka thënë që vendimi për shuarje është bërë për shkak të antikushtetushmërisë.
Po ashtu si arsye përmend edhe përfshirjen e Eulexit në këtë task forcë, e që sipas tij ky mision nuk ka përgjegjësi ekzekutive.
Megjithatë Selmanaj thotë që do presin kërkesë nga prokuroria speciale ti vënë kapacitetet e Policisë në shërbim të tyre.
Të hënën si rrjedhojë e vendimit për shfuqizim të taskforcës antikurrupsion erdhën shumë kritika në adresë të qeverisë.
Në to thuhej që Qeveria e ka shuar këtë departament sepse i njëjti po hetonte profile të larta të korrupsionit që janë pjesë e LDK-së.
Por numri dy i qeverisë e mohon këtë.
Në anën tjetër Selmanaj thotë që kanë pasur konsultime me ndërkombëtarët për marrjen e këtij vendimi por që në fund kanë vendosur vetë.
Ndër tjera Selmanaj ka theksuar që ka stabilitet në koalicion, e që sipas tij,posti i presidentit nuk është temë në partinë e tij.







