Qeveria amerikane urdhërohet ta publikojë raportin e plotë të Mueller-it

Një gjykatëse amerikane e ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara që t’ia ofrojë një komisioni të Kongresit raportin e hetuesit special, Robert Mueller, për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Vendimi i së premtes e konfirmoi edhe ligjshmërinë e hetimeve për shkarkimin e presidentit pasi gjykatësja Beryl Howell dha urdhër që Departamenti i Drejtësisë t’ia dorëzojë dokumentet Komisionit të Kongresit për Drejtësi deri më 30 tetor.

Në anën tjetër, Departamenti i Drejtësisë tha se është duke e shqyrtuar vendimin e gjykatës dhe pritet që administrata e presidentit Trump të dorëzojë ankesë kundër këtij vendimi.

Ky vendim po vlerësohet si fitore për demokratët, të cilët janë duke mbledhur të dhëna nga ish-zyrtarët qeveritarë dhe zyrtarët e tanishëm të Shtëpisë së Bardhë lidhur me përpjekjet e administratës për ta bindur Ukrainën që ta hetojë rivalin politik të presidentit Trump, Joe Biden.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike, Nancy Pelosi, tha se vendimi i gjykatës është një tjetër goditje ndaj përpjekjes së presidentit Trump që ta vendosë veten mbi ligjin.

Në këtë raport mund të zbulohen hollësi që nuk janë ditur më parë për veprimet e presidentit të tanishëm gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, të cilat mund të bëhen pjesë e përpjekjes së demokratëve për ta rrëzuar atë nga pushteti, shkruan “Free Europe”.

loading…