“Qeveri e skamjes”, ministri Peci dhe Halil Matoshi përplasen për rezervat e miellit dhe grurit

Një deklaratë e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci e bërë në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 lidhur me rezervat e miellit, bëri që gazetari Halil Matoshi ta quajëkëtë qeveri si ‘Qeveri e skamjes’.

Sipas Matoshit, deklarata e Pecit për rezervat e miellit prodhon vec frikë e skamje.

“Kjo gjuhë âsht e mendueme nga prizmi ideologjik i Kurtit, por e bân t’zâshme me naivitet të skajshem Peci.  Sepse, ashiqare mendon se e ka deshifru atë që e mendon shefi Kryeministër!? Thjesht mos me i lânë njerëzit me mendu të lirë, jashta mendësisë së fabrikueme ose inxhinieringut social!?”, shkroi Matoshi.

Peci i është kundërpërgjigjur Matoshit, duke i thënë se deklarata e tij nuk ka të bëjë me asnjë lloj ideologjie, por me fakte të bëra publike nga Shoqata e Mullisëve.

“E kuptoj nevojën tënde për të qenë kritik ndaj pushtetit, posaçërisht të kuptoj ty, sepse ke humbë privilegje nga rënia nga pushteti. Nuk po ia mbajë ison Albin Kurtit, po e kryej punën time. Për pozicion të till nuk mund ta marrë primatin. Besoj e ke të freskët pamjen kur vrapoje si fëmija pas prindit pas liderit tënd, sot opozitar, z.Haradinaj”, shkroi Peci.

Madje ministri i Bujqësisë i tha Matoshit se po përpiqet t’ua lehtësoj jetën qytetarëve, për të cilën e akuzoi se bashkë me ish-partinë e tij ua ka nxi jetën për vjet të tëra.

“Unë nuk po vrapoj pas Albinit, por krahas tij po përpiqem që sadopak t’ua lehtësoj jetën qytetarëve të këtij vendi, të cilëve ti me ish-partinë ua ke nxi jetën për vjet të tëra. Pra, shkaku i qeverisjes së dështuar, ti z.Matoshi ke humbë një vend pune, e natyrshme që tash je kaq alergjik ndaj qeverisjes së tashme.

Por, mos harro, ka shpresë edhe për ty. Unë dhe kolegët e mi në Qeveri po kujdesemi për të gjithë, pavarësisht orientimit, përkatësisë, apo siç ke qef të thuash ti, ideologjisë”.