Qesharake| Meksika përdor pamje nga rrugët e SHBA-së për t’i frikësuar të rinjtë nga droga

Qeveria e Meksikës është duke përdorur një video të njerëzve të pastrehë dhe të përdoruesve të drogës në mjedis të hapur në lagjen Keningston të Filadelfias së ShBA-së në një fushatë kombëtare në përpjekje për t’i larguar të rinjtë nga droga.

Në video nuk shkruhet emri i lagjes ose i qytetit, por nuk është e qartë se si ose pse qeveria meksikane ka vendosur që t’i përdorë skenat e rrugëve të Shteteve të Bashkuara për t’i frikësuar meksikanët, të cilët ballafaqohen me problemet e drogës edhe në vendin e tyre.

Kritikët thonë se ky spot i riciklon taktikat e frikësimit e nuk është që ofron ndihmë ose trajtim për këtë problem, raporton agjencia “Associated Press”.

Jesus Ramirez, zëdhënës i presidentit meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, e publikoi me krenari vargun e spoteve të martën, por nuk u është përgjigjur kërkesave për koment në lidhje me atë se ku i ka marrë ato video nga Filadelfia qeveria meksikane ose pse i ka përdorur pikërisht ato pamje.

Përdorimi i këtyre videove, përpos shkaktimit të shqetësimit për imazhin e Filadelfias ose nëse personat e paraqitur në pamje e kanë dhënë pëlqimin e tyre për publikimin e videove, gjithashtu shkaktoi pyetje të tjera, duke marrë parasysh se vetë Meksika është burim i shumicës së fentanilit që shitet në Shtetet e Bashkuara.