“Qenka nxehur z.Peci”, Hoti polemikë të ashpër me ministrin e Bujqësisë e pyet edhe për “Zajednicën”

Që nga dita e djeshme ka filluar një përplasje në rrjete sociale në mes të ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. Gjithçka ka filluar pasi deputeti Hoti ka folur për rritjen e importit të produkteve bujqësore përgjatë vitit 2022.

Ndaj Hotit kishte reaguar mbrëmë ministri Peci duke thënë se deputeti Hoti do të ishte më mirë të heshtte se të fliste për gjërat që nuk i di.

Këtë polemikë ish-kryeministri Hoti e ka vazhduar edhe sot duke thënë se rritja enorme e produkteve bujqësore përgjatë vitit 2022 është treguar se prodhimi vendor ka rënë.

Hoti ka thënë se Peci në vend se të sqarojë se çfarë po bën për ta zbutur krizën ka zgjedhur të shkruaj pamflet me tallje dhe cinizëm dhe ka bashkëngjitur shifrat se si janë rritur importet.

 Sipas Hotit faktet tregojnë se efektet e punës së ministrit Peci janë zero.

 “Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021:

1. Importi i llojeve të ndryshme të grurit është rritur me 63% (2021 – 22.7 mil euro, 2022 – 36.9 mil euro).

2. Importi i llojeve të ndryshme të mishit është rritur me 51% (2021 – 82.5 mil euro, 2022 – 124.5 mil euro).

3. Importi i gjedheve për therje është rritur me 42% (2021 – 45.2 mil euro, 2022 – 64.2 mil euro).

4. Importi i qumështit dhe produkteve të qumështit është rritur me 32% (2021 – 56.8 mil euro, 2022 – 75.2 mil euro)”, ka shkruar Hoti.

Pas kësaj ka reaguar përsëri ministri Faton Peci duke e quajtur ish-bashkëpartiakun e tij “manipulant”.

 “Nuk e keni dëgjuar asnjëherë Avdullahun duke diskuar për sektorin e Bujqësisë sa ka qenë Ministër i Financave dhe Kryeministër jo-legjitim.

Duke qenë se ke marrë rol aktiv në përpjekjen dëshpëruese me shifra manipulative (duke ju referuar çmimeve e jo sasisë se importit, në kohen e inflacionit global) më duhet të t’i përmend disa fakte”, ka shkruar Peci.

Pa reaguar s’ka qëndruar Hoti, duke thënë se “Z.Peci qenka nxehur” meqë i kanë penguar shifrat zyrtare të publikuara në mëngjes.

Hoti ka thënë se Peci është i “fortë në zanatin e sharjeve, në veçanti të atyre nga shëpia e vjetër politike”.

Në fund të reagimit Hoti e ka pyetur Pecin se çfarë do të bëjë Qeveria të hënën në Bruksel dhe e “A kalon apo nuk kalon…Zajednica”.

“Qenka nxehur z.Peci. I paskan djegur shifrat zyrtare që i kam publikuar në mëngjes. I fortë është në zanatin e tij të sharjeve ndaj kundërshtarëve politik, në veçanti të atyre nga shtëpia e tij e vjetër politike. E vërteta dhemb, por e çliron njeriun. Mashtrimet nuk kalojnë. Mos u ngut. Sharjet nuk t’i kam borxh as unë dhe as partia ime.

Me këtë rast, dëshiroj të të pyes: Çfarë po bëni të hënën në Bruksel? A kalon apo nuk kalon…. ZAJEDNICA?!”, ka shkruar Hoti.