Kamenicë

Qëndron Kastrati nis ‘shkarkimin’ e anëtarëve të Vetëvendosjes

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati që në këtë pozitë erdhi sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, tani ka filluar t’i “shkarkojë” nga detyrat në këtë komunë ish-bashpartiakët e tij, përcjell zeri.info

Javën e kaluar, Kastrati shkarkoi nga detyra, drejtoreshën e Arsimit, Ismete Thacin që vjen nga radhët e Vetëvendosjes. Ndërsa, është inicuar një mocion mosbesimi ndaj kryesuesit të Kuvendit Komunal, Bajram Mavriqit, që poashtu është nga radhët e Vetëvendosjes.

Pas debatit në Kuvendin Komunal, Mavriqi duke qenë kryesues i seancës e ka mbyllur seancën duke e vlerësuar të kundërligjshëm ngritjen e mocionit të mosbesimit.

“Me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale Nr.03/L-040, nuk parashihen procedura për shkarkim të Kryesuesit. Në të kundërtën me këtë Ligj, në Nenin 41, Paragrafi 41.2 thuhet se: Kryesuesi i Kuvendit të Komunës zgjidhet për një mandat të njëjtë sikurse anëtarët e kuvendit. Me Udhëzimin Administrativ 2009/1, në Nenin 4 thuhet: Mandati i Kryesuesit të Kuvendit të Komunës është i njëjtë me mandatin e anëtarëve të Kuvendit të Komunës. Në këto rrethana, unë si Kryesues për të mos bërë shkelje ligjore, këtë seancë e shpalli të mbyllur”, ka deklaruar Mavriqi.