Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë me objekt të vogël dhe pak staf

Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë ofron shërbime për 1 mijë e 300 pacientë në një hapësirë të vogël dhe me staf të mjaftueshëm. Dita Botërore e Shëndetit Mendor, e gjen këtë Qendër me një psikiatër, me dy psikologe dhe me numër të vogël të infermierëve për shëndet mendor.

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi, në një intervistë për KosovaPress, është shprehur se edhe pse staf i vogël në numër arrijnë që të ofrojnë shërbime cilësore.

Ai tha se pa modesti Kosova sa i përket shërbimit të shëndetit mendor është në nivel më të lartë sesa vendet e regjionit.

“Në kuptimin sa po bëjnë institucionet nuk është e mjaftueshme, se ka nevoja të mëdha për të pasur shumë më shumë objekte, institucione të cilat kanë me u marrë me shëndetin mendor. Në anën tjetër, nuk mundemi me u ankua për shkak se gjatë tërë vitit, fal Ministrisë së Shëndetësisë dhe ShSKUK-së kemi qenë shumë mirë të furnizuar me barna, kështu që barna kemi pasur. Mirëpo Prishtina, kjo qendër është qendër për regjionin e Prishtinës, ne i mbulojmë diku rreth 1 mijë e 300 klientë, që nuk ka hapësirë të mjaftueshme, nuk kam mjaftë infermierë për shëndet mendor, jam i vetmi psikiatër dhe i kam dy psikologe. Ndërsa, në kuadër të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë funksionojnë dy shtëpi integruese, një në Fushë Kosovë, një në Drenas, ku i kemi nga 10 klientë të cilët janë të shtrirë dhe kanë kujdes 24 orë, ndërsa qendra në Prishtinë dhe në Podujevë është për shërbime qëndrim ditor të klientëve. Krejt kjo nuk mjafton për një regjion çfarë është Prishtina”, tha ai.

Ai tha se në këtë qendër kanë shumë klientë të cilët iu shkojnë me aktvendime të gjykatave për trajtim në liri, prandaj sipas tij, si qendër ka nevojëRexhepi u shpreh se gjatë gjithë kohës kanë qenë të furnizuar me barna të mjaftueshme, por që problem sipas tij është objekti shumë i vogël.

Sipas tij, problem për ndërtimin e një objekti të standardeve më të larta nuk kanë qenë fondet, por gjetja e një hapësire adekuate ku do të ndërtohej.Drejtori i kësaj qendre, që njëherësh është edhe psikiatri i vetëm i kësaj qendre, tregoi se cilat janë disa nga shkaktarët që bëjnë që personat të kenë probleme mendore.

“Po flasim për një shoqëri e cila nuk ka 20 vite që ka dal prej luftës, prej një lufte shumë të shkurtë, por shumë shkatërruese. Ato janë plagë të cilat nuk mbyllen kurrë, qëllimi jonë është me i funksionalizu atë pjesë të popullatës, me qenë funksional, por asnjëherë nuk mundohemi me i shti ata me harrua atë pjesë, po me bisedua për atë pjesë dhe me e pranua si një pjesë e realitetit nëpër të cilin kanë kaluar. Kështu që, ka mjaftë trauma dhe kryesisht çrregullimet pas stresit traumatik nuk manifestohen menjëherë vitin e parë, po edhe shumë më vonë. Ta marrim një dhunim, ajo grua, ai burrë, ka me u funksionalizua për jetë, po kurrë nuk mund të themi se e ka harruar atë ngjarje dhe sa herë të ketë situata të ngjashme do ta riaktualizoj prapë atë ngjarje”, tha Rexhepi.

Po ashtu, ai tha se popullata e Kosovës për 20 vite me radhë ka marrë premtime të mëdha dhe njerëzit kanë krijuar pritje të mëdha, e sipas tij prej pritjeve të mëdha janë dështimet shumë të mëdha.Ndër arsyet tjera, Rexhepit, janë gjendja ekonomike dhe papunësia e popullatës kosovare.Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, Rexhepi ka një kërkesë për të gjitha mediat kosovare, që sipas tij ato duhet që për 364 ditë të vitit të promovojnë shëndetin mendor, ndërsa sot kur është Dita Botërore e Shëndetit Mendor të jetë festë.

Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë ka filluar punën me 17 shtator 2003 dhe ofron shërbime psikiatrike, shërbime psikologjike, shërbime psikosociale, psikoedukimi i familjes, teknika të ngritjes së vetëdijes, vizita shtëpiake, qëndrimi ditor, terapi individuale dhe grupore, aktivitete rehabilituese dhe aktivitete rekreative.

loading…