Qemajl Aliut s’i mjaftojnë militantët e LVV-së në Shtime, QKMF-ja punëson edhe nga komunat e tjera

Barazia mes qytetarëve dhe luftimi i nepotizmit ishin premtime të vazhdueshme të Lëvizjes Vetëvendosje. Më herët premtonin se në qeverisjen e tyre nuk do të ketë punësime e favorizime politike e familjare, pasi që “familjarët ishin për dasma”. Tani jo vetëm që i kanë rehatuar shumicën, por po i marrin edhe nga komunat e tjera. Të paktën punësimi i militantëve partiakë nga një qytet në një tjetër nuk ishte rast i dëgjuar në të kaluarën. Një gjë e tillë ka ndodhur në qytetin e Shtimes, kur një aktivist i LVV-së me profesion mjek nga Prizreni ka gjetur punë në QKMF-në e Shtimes.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Leart Asllani, nga Prizreni është punësuar si mjek në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime.

Asllani ishte aktivist në organizatën studentore Studim, Kritikë, Veprim (SKV), e cila njihej për afërsinë e madhe me LVV-në. Ai ka diplomuar më 30 qershor 2021, ndërsa aktualisht është punësuar në Shtime, raporton Demokracia.com.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, kishte premtuar depolitizim të stafit mjekësor në këtë komunë.

“Në kuadër të shëndetësisë ne mendojmë për depolitizimin e personelit shëndetësor dhe menaxherial, i cili është shumë i politizuar. Përzgjedhja e personelit, sipas kritereve dhe meritokracisë dhe jo familjarët e tyre”, kishte thënë Aliu gjatë fushatës zgjedhore në televizionin publik.

Se Leart Asllani është duke punuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Isa Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se Asllani është duke punuar në Shtime, pasi që sipas tij, asnjë mjek në këtë komunë nuk është pa punë.

“Leart Asllani është mjek dhe është duke punuar përmes Caritasit. Është angazhuar, sepse nga Shtimja nuk ka pasur as mjek, asnjë doktor nuk ka që është i papunë”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

E jo vetëm Leart Asllani, por sipas burimeve të Demokracia.com edhe e fejuara e tij Rina Avdyli nga Ferizaj është e punësuar në QKMF-në e Shtimes.

I pyetur nga Demokracia.com nëse ishte punësuar edhe e fejuara e Leart Asllanit në QKMF-në e Shtimes, drejtori ka thënë se nuk i di lidhjet familjare dhe nuk ka informacione për këtë.

“Nuk i di lidhjet familjare, ky është angazhuar përmes Caritasit, që është organizatë buxhetore me të cilën komuna e Shtimes ka marrëveshje që një kohë të gjatë. Ne vetëm e bëjmë kërkesën dhe pastaj ata i rekrutojnë”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

Ndërsa, Pal Baftiu nga Caritas Kosova ka thënë se nuk e di nëse është punësuar Asllani në QKMF.

Baftiu më tej ka thënë se nuk beson që Asllani është duke punuar.

“Jam në veturë duke vozitë dhe nuk mund ta di, pasi që nuk jam në zyre që të shoh. Por, jo nuk e besoj. Ai është qytetar i Kosovës dhe është duke punuar brenda territorit të Kosovës. Është duke punuar në bazë të rregullave të Kosovës”, ka thënë Baftiu për Demokracia.com, herë duke mos ditur e herë duke arsyetuar.

Demokracia.com e ka kontaktuar edhe ushtruesen e detyrës së drejtorit në QKMF-në e Shtimes, Pranvera Bajramin, mirëpo e njëjta pasi që e dëgjoi pyetjen, nuk dëshiroi të përgjigjej duke u arsyetuar se “nuk jam duke të dëgjuar” dhe mbyllur telefonin.

Demokracia.com e ka kontaktuar edhe kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliun, por i njëjti siç ndodhë rëndom nuk u është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Muaj më parë, shumë familjarë të dëshmorëve që ishin të angazhuar përmes projektit të Caritas Kosova ishin larguar nga puna. Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, tani duket se po e shfrytëzon edhe këtë organizatë për punësimin e militantëve partiakë. /Demokracia.com/